Deficiti tregtar i Kosovës, që nënkupton dallimin mes vlerë së importeve dhe eksporteve të një vendi, është rritur për 16.1 për qind në muajin qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 578.3 milionë euro.
Eksportet kanë mbuluar vetëm 15 për qind të importeve, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, transmeton KosovaPress.
Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, të cilat përbëjnë 27.4 për qind të vlerës së përgjithshme të eksporteve.
Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7 për qind dhe produktet minerale me 7.1 për qind.
Vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës. Eksportet drejt vendeve të BE-së arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9 për qind të eksporteve totale, me Gjermaninë, Holandën dhe Italinë si destinacionet kryesore. Në të njëjtën kohë, importet nga BE-ja arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8 për qind të importeve të përgjithshme, ku Gjermania, Italia dhe Polonia ishin furnizuesit kryesorë.
Edhe vendet e CEFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë. Eksportet në këtë treg arritën në 44 milionë euro, ose 43.1 për qind të totalit, ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s ishin 98.7 milionë euro, që përbëjnë 14.5 për qind të importeve të përgjithshme. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.