“Hashim Thaçi ka ardhur në Kosovë”, “Ushtria serbe do të hyjë në territorin e vendit tonë”, “Në Kosovë është përhapur lija e majmunëve”, “Mjalti shëron kancerin”, janë disa nga informacionet e rreme që nxënësit e komunitetit jo-shumicë të shkollës fillore “Gëzim Hamza Piktori”, në Rahovec kanë hasur në media dhe rrjete sociale.
Ata tregojnë raste kur kanë lexuar lajme të tilla në media të ndryshme, të cilave iu kanë besuar dhe që kanë shkaktuar frikë. Në mënyrë që fëmijët nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian të mësojnë përvoja se si të mos bien pre e lajmeve të rreme dhe ta zhvillojnë mendimin kritik, sot u mbajt një trajnim për edukimin mediatik.
Nxënësi në klasën e shtatë nga komuniteti ashkali, Muhamet Krasniqi ka treguar përvojën e tij, duke përmendur si shembull një lajm ku thuhej kinse ushtria serbe do të hyjë në Kosovë. Krasniqi thotë se gjatë trajnimit kanë mësuar gjëra të reja, derisa potencoi se ka nevojë për më shumë trajnime të tilla, pasi ato janë shumë të dobishme për dallimin e përmbajtjeve të vërteta dhe atyre të pavërteta.
“E kam lexuar një lajm që Donald Trump do t’ia lë Kosovës emrin Dardani. E kam lexuar edhe një lajm të rremë se (Lionel) Messi dëshiron ta nxjerrë nga burgu Ronaldinjon”, tha Krasniqi.
Në lajme të pavërteta ka hasur edhe nxënësi nga komuniteti ashkalinj Ferdi Gashi. Ai tregon se kishte lexuar se kinse mjekët mund ta shërojnë sëmundjen e migrenës brenda ditës.
“E kam lexuar se (në Kosovë) ka ardhur një sëmundje e majmunëve, e jemi frikësuar mos po na bie edhe neve”, tregoi Hyseni.
“Trajnimi për edukimin mediatik si ky sot në Rahovec janë shumë të nevojshme dhe të dobishme për të rinjtë e moshës adoleshente, sepse i pajis ata me mjete, me mënyra se si ta zhvillojnë të menduarit kritik që i ndihmon ta vlerësojnë informacionin me të cilin janë të rrethuar në çdo moment të ditës së tyre, si dhe të dinë të jenë konsumatorë të përgjegjshëm të lajmeve, informacioneve dhe të dinë si të navigojnë me përgjegjësi botën digjitale”, tha Baleta. Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet jo-shumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë./Z.Zeneli/