Kolgeci: Hendbolli i Kosovës po hyn në fazë reformash, buxheti dhe infrastruktura janë sfidat kryesore
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Kolgeci: Hendbolli i Kosovës po hyn në fazë reformash, buxheti dhe infrastruktura janë sfidat kryesore
kolgeci-
04/07/2026 - 14:52
Linku u kopjua

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci ka thënë se ecuria dhe zhvillimi i këtij sporti në Kosovë po përballen me sfida që nuk janë të pakta, e të cilat, në radhë të parë, kanë të bëjnë me mungesën e financave.

Në një intervistë për KosovaPress ai ka folur për këto sfida, por edhe për gjërat e mira që po ndodhin në dhe rreth hendbollit, siç është organizimi, këtë muaj, i dy kualifikime për Kampionatin Evropian, ku marrin pjesë 12 shtete si Italia, Finlanda, Estonia e të tjera, e po ashtu edhe për  objektivat në arenën ndërkombëtare.

Ai ka theksuar se federata synon reforma në aspektin profesional, ndërsa ka shprehur bindjen se përfaqësueset e Kosovës do të synojnë medalje në Lojërat Mesdhetare.

Për pjesëmarrjen e klubeve në garat evropiane dhe mungesën në to të klubit Rahoveci, Kolgeci tha se problemi kryesor mbetet gjendja financiare e klubeve.

“E vërtetë që këtë herë kemi mundur të paraqitemi edhe me tetë ekipe. Faktikisht ish-kampioni apo nënkampioni (Rahoveci) nuk është paraqitur, Rahoveci nuk është paraqitur për këto gara. Edhe vjet kanë qenë shtatë, në të kaluarën kemi marrë pjesë me shtatë, tetë, gjashtë ekipe, si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Një prej arsyeve pse nënkampioni, i cili ka qenë afër të jetë kampion dhe finalist i kupës, nuk merr pjesë, ndërlidhet gjithmonë me kushtet dhe buxhetin e klubeve. Një prej arsyeve pse Rahoveci nuk është, edhe këto klube të tjera nuk janë shumë më mirë në aspektin e buxhetit dhe përfaqësimit në Kupat Evropiane, mirëpo prapë kanë vendosur që të marrin pjesë.”, tregoi fillimisht Kolgeci.

Kolgeci foli edhe për angazhimin e një trajnerit të huaj te kombëtarja e meshkujve, duke thënë që synimi pse u soll ai është reformimi i ekipit dhe përvetësimi i një kulture të re të punës.

“Nëse e shohim në aspektin ekonomik ndoshta ndonjëherë na kushton më lirë, nëse e shohim kështu si pagë apo si harxhim, prap ëaty jemi mirëpo ideja është që të rifreskojmë dhe të reformojmë. Në këtë rast, selektori Jasper dhe i gjithë ekipi i tij janë nga shkolla suedeze, nga Superliga suedeze dhe dihet që Suedia është një prej fuqive në hendboll, si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Ideja është të sjellim motivim, ndryshime edhe reforma të mentalitetit si në lojë si jashtë loje. Posaçërisht duhet investim te gjeneratat e reja, fëmijët prej U14 e më lartë”, vijoi tutje Kolgeci.

Kolgeci bëri të ditur se ndryshime të ngjashme, pritet të ndodhin edhe te kombëtarja e femrave.

Sa u përket sfidave të përgjithshme të hendbollit në vend, ai veçoi në radhë të parë mungesën e financimit, infrastrukturën sportive dhe nevojën për investime në kuadro profesionale.

Kolgeci foli për synimet e Federatës në Lojërat Mesdhetare të këtij viti në Itali, duke theksuar se objektivi është fitimi i një medaljeje.

Në përmbyllje, Kolgeci u bëri thirrje dashamirëve të hendbollit që të mbështesin kombëtaren në ndeshjet kualifikuese që do të zhvillohen në Kosovë, duke theksuar se vendi do të jetë mikpritës i një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare.

Nga datën 8 korrik, Kosova organizon dy kualifikime për Kampionatin Evropian, ku marrin pjesë 12 shtete si Italia, Finlanda, Estonia e të tjera.

KosovaPress


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026