– në retrospektivë e perspektivë
Kam lindur për së dyti po në Prishtinë, një ditë pasi trupat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë. Kam ruajtur në kujtesë shumë ngjarje nga kjo kohë, por edhe më shumë ato para saj.
Në ndërkohë, si në vegim, më dalin skenat e mëhershme të policisë së armatosur duke e marrë me dhunë Televizionin e Prishtinës, ku pata punuar 17 vjet si kryinxhinier. Por, parasysh më dalin edhe rreshtat e gjatë ku, së bashku me njerëz të tjerë me bindje të ndryshme politike, pritnim t’i bashkoheshim Lëvizjes gjithpopullore. Më kujtohet edhe kur familjarisht, pa dallim përkatësie fetare, shkonim në kishën e vogël në Ulpianë për të marrë pjesë në ceremoninë e kremtimit të Kërshëndellave.
Mbaj në mend edhe kur si profesor universitar, së bashku me studentët e studentet dhe kolegët e koleget, iknim nga gazi lotsjellës rrugicave e oborreve të Velanisë. Por, mbaj mend edhe kur më vonë, së bashku me mijëra të tjerë, në qendër të qytetit thërrisnim “NATO në Kosovë”. Po në këtë qendër kur dikur shëtisja me miq e shokët e mi gjimnazist.
Në mugëtirë, më kujtohet edhe kur e kanë rrënuar xhaminë (e shek. XV/XIV) afër Teatrit në qendër të qytetit, që aty pranë të ndërtonin hotelin “Bozhur”. E më kujtohet edhe çarshia e vjetër e sinagoga pothuajse përballë xhamisë, të cilat po ashtu i kanë rrënuar, që aty të zinte vend ndërtesa e tashme e Kuvendit të Kosovës. Më kujtohet edhe kisha e vogël katolike (e Stakajve) disa qindra metra më poshtë, e cila po ashtu nuk është më, e ndërkohë më del parasysh hoteli “Grand” aty përballë, i ndërtuar disa vite më vonë.
E babait tim, të lindur po ashtu në Prishtinë, në vitin kur ishte fundosur Titaniku e ishte katandisur edhe më keq Kosova, i kujtoheshin ushtarët dhe xhandarët e kralit. Por, i kujtohej edhe ndërtimi i hotelit “Union” (dikur “Nacional” e “Skanderbeg”) në qendër të qytetit, bri xhamisë ende të parrënuar. I kujtohej edhe ndërtimi i gjimnazit, ku unë do të kaloja më vonë katër vjet si fillorist dhe katër vjet të tjera si gjimnazist.
Ndërkohë mua më kujtohet biçikleta e parë dhe çastet kur si i vogël me vëllain dhe motrën më të madhe mësohesha si ta ngasë.
E gjyshit tim, të ardhur me babain e vet, si tregtarë, nga Gjakova në qytetin e Prishtinës pesë vjet pasi ky qytet të jetë shpallur kryeqytet i Vilajetit të Kosovës, e vdekur në të, në moshën 96-vjeçare, një vit para se të lindte vëllai im më i ri, i cili ia trashëgoi emrin, i kujtoheshin asqerët dhe zaptijet e sulltanit. Por i kujtohej edhe ndërtimi i ndërtesës ku sot është Muzeu i Kosovës, si dhe blerja e orëve të murit dhe e takëmeve të kafesë, koleksionist i të cilave ishte.
Sot, duke i shikuar djemtë tanë e vashat tona në uniformë gjatë parakalimit të tyre rrugëve të Prishtinës tashmë jam i bindur se nuk kam rilindur në vendin e gabuar.