Politologu Jasmin Mujanoviq ka reaguar ndaj pretendimeve të fundit të autoriteteve në Beograd dhe Budapest për një incident të dyshuar në afërsi të kufirit me Hungarinë, duke i cilësuar ato si pjesë e një “narrative të zakonshme të frikës”.
Reagimi i tij vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi të dielën se pranë tubacionit të gazit që furnizon Hungarinë janë gjetur mjete shpërthyese dhe detonatorë, duke ngritur shqetësime për sigurinë.
Ai thekson se kjo qasje i ngjan një “spektakli politik”, që synon të forcojë narracionin e rrezikut dhe pasigurisë në rajon, transmeton KosovaPress.
Mujanoviq shkon edhe më tej, duke sugjeruar se rasti mund të jetë një operacion i tipit “false flag”, me implikim të mundshëm të Serbisë, megjithëse për këtë nuk janë ofruar prova publike.Sipas tij, figura si Vuçiq dhe Dodik do ta ndjenin ndjeshëm një zhvillim të tillë.
“Është e qartë se kjo është një operacion ‘false flag’ në të cilin është e përfshirë Serbia. Por ajo që është e rëndësishme është se kjo tregon se sa çliruese do të ishte rënia e Viktor Orbanit përtej kufijve të Hungarisë. Aleatët e tij në Ballkan – Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik në veçanti – do ta ndjenin thellësisht humbjen e tij”, ka shkruar Mujanoviq në X.