Prestianni: Nuk jam racist, u dënova për diçka që nuk e kam thënë
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Prestianni: Nuk jam racist, u dënova për diçka që nuk e kam thënë
02/04/2026 - 14:25
Linku u kopjua

Futbollisti i Benfica-s, Gianluca Prestianni, ka reaguar publikisht në një intervistë për Telefe, pas akuzave për ofendim racist ndaj Vinicius Junior, duke i mohuar ato kategorikisht.

Lojtari deklaroi se akuzat kanë qenë të pavërteta dhe kanë ndikuar rëndë tek ai personalisht. Ai shtoi se ndihet i qetë, pasi sipas tij, njerëzit që e njohin e dinë çfarë personi është.

“Ajo që më lëndoi më shumë ishte akuzimi për diçka që nuk e kam bërë kurrë. Nuk jam racist” – deklaroi Prestianni.  

 Ai shtoi se ndihet i qetë, pasi sipas tij, njerëzit që e njohin e dinë çfarë personi është dhe falënderoi klubin dhe bashkëlojtarët për mbështetjen, duke theksuar se përkrahja e tyre ka qenë vendimtare në këtë periudhë të vështirë.

“Por për fat të mirë, jam shumë i qetë sepse të gjithë ata që më njohin e dinë se çfarë lloj personi jam dhe kjo më mjafton. Jam shumë mirënjohës edhe klubit, ata besuan tek unë dhe më mbështetën në çdo mënyrë. Shokët e mi të ekipit më treguan mbështetjen e tyre pas dyerve të mbyllura dhe kjo do të thotë shumë më tepër për mua sesa postimi i një historie në Instagram” – tha ai.

Lojtari u shpreh i zhgënjyer që nuk luajti në ndeshjen e kthimit, duke pretenduar se u ndëshkua pa prova, derisa zbuloi gjithashtu se kishte biseduar me trajnerin Jose Mourinho dhe me bashkëlojtarët për të sqaruar situatën, pasi sipas tij kishte shumë thashetheme që mund të krijonin konfuzion brenda ekipit.

“Mos luajtja e ndeshjes së dytë më lëndoi shumë. U ndëshkova për diçka që nuk e thashë. U trajtova dhe u sanksionova pa prova. Por tani ka mbaruar. Jam shumë mirënjohës ndaj ekipit dhe stafit të trajnerëve të Benfica-s, të cilët pritën deri në minutën e fundit për të parë nëse mund të luaja. Jam vërtet mirënjohës për këtë” – tregoi lojtari.

Në lidhje me incidentin në fushë, Prestianni përmendi edhe një përplasje verbale me Kylian Mbappe, i cili e kishte quajtur “racist”.

“Mbappe më quan “racist të mallkuar?” Po fyen dikë duke e quajtur racist kur unë nuk kam qenë kurrë dhe nuk do të jem kurrë. Natyrisht, ai po përpiqej të më futej në lëkurë gjatë ndeshjes. Nuk doja kurrë të reagoja dhe nuk do të reagoj” – tha Gianluca.

Tutje lojtari sqaron se disa fjalë që përdoren në Argjentinë janë ofendime të zakonshme dhe nuk kanë domethënie raciste, duke shtuar se akuzat për racizëm dhe homofobi janë të ekzagjeruara dhe të pabazuara.

“Kam pasur shokë ekipi me të njëjtën ngjyrë lëkure si Vinicius, dhe asgjë nuk ka ndodhur me asnjërin prej tyre, përkundrazi. Pastaj filluan të më quanin edhe mua homofob, gjë që ishte shumë. Ndihesha sikur njerëzit po përpiqeshin të krijonin dramë për gjëra që nuk ishin të vërteta. Për ne argjentinasit, fjalë si “maricon” ose “cagon” janë fyerje të zakonshme. Por për fat të mirë ekipi dhe stafi i trajnerëve më mbështetën, kështu që kjo më dha qetësi shpirtërore” – përfundoi Prestianni.

Rasti ka shkaktuar debat të madh në opinionin sportiv dhe mbetet një nga çështjet më të diskutuara në futbollin evropian së fundmi.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026