Kosova, në periudhën e saj të pas clirimit dhe pavarësisë nga Serbia, është drejtuar nga figura të shquara, dhe jo aq të shquara politike, që kanë ushtruar postin e Presidentit.
Këtë pozitë e kanë mbajtur gjithsej 7 personalitete. Dy nga to ishin gra, e pesë burra. Po ashtu, dy nga ta e mbajtën pozitën për faza shumë të shkurta – vetëm disa muaj (Jakup Krasniqi e Behgjet Pacolli) e pesë tjerët për disa vite – Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani Sadriu.
Ibrahim Rugova (4 mars 2002 – 21 janar 2006)
Dr. Ibrahim Rugova, i konsideruar, sidomos nga ithtarët e tij nga partia LDK si “Ati i Kombit” dhe figura qendrore e lëvizjes për pavarësi gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, ishte presidenti i parë i Kosovës në periudhën pasluftës, duke shërbyer nga marsi 2002 deri më 21 janar 2006. U zgjodh në këtë pozitë dhe e la atë, pas vdekjes, gjatë kohës kur vendi ishte nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së. Rugova njihej si politikan që angazhohej në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës së pasluftës. Ai krijoi Grupin e Unitetit, që u përball mandej me Serbinë në negociatat për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga Marti Ahtisaari, e të cilat përfunduan me propozimin e vitit 2007 për pavarësi të mbikëqyrur. Rugova nuk e priti shpalljen e pavarësisë, meqë vdiq më 21 janar 2006, pas 3 vjetëve, 10 muajve e 17 ditëve “mbretërimi” si president i vendit.Shuarja e Rugovës ia kaloi mundësinë Fatmir Sejdiut ta pasojë atë në pozitën e presidentit, të cilën e mbajti nga 10 shkurti 2006 deri më 27 shtator 2010. Në të njëjtën kohë, ai vazhdoi të mbajë, ani se të ngrirë, edhe pozitën e kryetarit të LDK-së, gjë që me legjislacionin e ri, të pas pavarësisë, ishte e ndaluar, për çfarë, në fakt, ai u penalizua, më 2010, duke u shkarkuar nga detyra, me vendim të Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmëri të funksioneve.
Pavarësisht këtij akti “të pakujdesshëm” në karrierën e tij politike, Sejdiu mund të krenohet se gjatë mandatit të tij, Kosova shpalli pavarësinë, më 17 shkurt 2008, mori shumë njohje të shtetësisë së saj, forcoi pozicionin e vetë ndërkombëtar si vend i pavarur dhe fitoi konfirmim të kësaj pavarësie nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 2010.
Shkuarja e tij la një boshllëk institucional dhe për pasojë, pozitën e presidentit, si ushtrues detyre, e mori Jakup Krasniqi, duke qenë se ajo i takonte me Kushtetutë, duke qenë kryetar Kuvendi. Shefi i Parlamentit, që tashmë ndodhet në Hagë, si i akuzuar nga Specialja, ushtroi detyrën e presidentit rreth 4 muaj, nga 27 shtatori 2010 deri më 22 shkurt 2011.
Kriza presidenciale u mendua se u zgjidh, kur kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli erdhi në këtë detyrë, të cilën e fitoi duke u zgjedhur president i shtetit, më 22 shkurt të vitit 2011. Por, në këtë pozitë ai qëndroi vetëm pak më shumë se 30 ditë, deri më 30 mars 2011, pasi mandati i tij u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese për shkelje procedurale në procesin e votimit. Kështu, mandati i tij ishte ndër më të shkurtit në historinë presidenciale të Kosovës.
Atifete Jahjaga (7 prill 2011 – 7 prill 2016)
Zgjidhja që doli të ishte e pranueshme për shumicën, nuk kishte asnjë lidhje me politikën. Ajo u gjet te lidershipi i fushës së sigurisë. Gjeneral majorja e policisë kosovare, Atifete Jahjaga u zgjodh kryetare më prill 2011, ndërsa e mbajti këtë pozitë me mandat e afat të plotë kushtetuese – 5 vjet, deri më 7 prill 2016. Një term i ri – “presidentja e zarfit” pati hyrë në diskursin politik e medial të vendit, për shkak të pretendimeve se emri i saj erdhi si propozim me pliko, nga miqtë ndërkombëtar të Kosovës
Jahjaga do të mbahet mend në historinë politike si presidentja e parë grua e Republikës së Kosovës dhe si e para kryetare që përfundoi mandatin e plotë pesëvjeçar.
Në këtë kohë, vendi ndodhej në rrethana të reja politikë. Hashim Thaçi, që si kryetar i PDK-së kishte shërbyer edhe si kryeministër dhe zëvendëskryeministër vendi, nga 2007 deri më 2016, kishte shfaqur aspirata për t’u bërë president, pasi ia kishte lejuar Isa Mustafës së LDK-së, ta merrte pozitën e kryeministrit, në një marrëveshje mes dy partive, me kushtin që vetë Thaçi të bëhej president, kur Jahjaga të përfundonte mandatin.
Dorëheqja e tij e bëri, me automatizëm, presidente në detyrë, kryetaren e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Këtë mandat Vjosa Osmani e mbajti 5 muaj, deri kur u zgjodh presidente fuqiplotë, më 4 prill 2021, duke qenë pjesë e bashkëpunimit politik me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
Ajo është kryetarja e dytë grua e Kosovës. Mandati i saj aktual, që deri sot ka zgjatur 4 vjet e 10 muaj, pritet të përfundojë në prill 2026. Osmani, që është edhe gruaja më e votuar në historinë e zgjedhjeve të Kosovës, ka shfaqur aspirata për ta mbajtur këtë post edhe për një mandat të ri.