Hasanpapaj: Pa Vjosa Osmanin nuk do të kishte sukses në veri
Intervista
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Hasanpapaj: Pa Vjosa Osmanin nuk do të kishte sukses në veri
bardhyl-hasanpapaj-050626
05/06/2026 - 16:25
Linku u kopjua

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bardhyl Hasanpapaj, ka thënë se ish-presidentja Vjosa Osmani ka luajtur rol vendimtar në shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës dhe në ruajtjen e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, pa angazhimin e saj, Kosova nuk do të kishte arritur sukseset e deritanishme në atë pjesë të territorit.

Në emisionin “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, Hasanpapaj deklaroi se Osmani ka qenë garantuese e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktor kyç në koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për çështjet e sigurisë.

“Presidentja Osmani ka insistuar në vazhdimësi dhe me konsistencë gjithmonë që të ruhen raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ajo ka qenë garantja kryesore e atyre raporteve, dhe ajo jo vetëm që i ka mirëmbajtur, por i ka ushqyer dhe i ka mbërritur në nivelin më të mirë që s’i kemi parë asnjëherë. Ky ka qenë udhërrëfyesi dhe rrugëtimi kryesor i presidentes Osmani. Po të mos ishte presidentja Osmani, si do të mbrohej kufiri apo si mbrohet kufiri 400-kilometërsh me Serbinë, që mbrohet nga ushtarët e KFOR-it, nga ushtarët amerikanë?... Komunikimin, ekskluzivisht e ka mbajtur presidentja Osmani dhe ka qenë garantuesja kryesore e të gjitha lëvizjeve në veri. Po të mos kishte qenë presidentja Osmani, nuk do të kishim pasur sukses në veri. Sigurisht që kjo qeveri, që ka dështuar në gjithçka, po tenton që suksesin në veri ta mbajë veç për vete”, tha ai.

Ai foli edhe për raportet ndërmjet ish-presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se dallimet mes tyre lidhen me vizionin politik dhe qasjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Hasanpapaj tha se Osmani gjatë mandatit të saj është përqendruar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, sigurimin e njohjeve të reja dhe avancimin e proceseve integruese, ndërsa shtoi se në disa raste ka pasur mospajtime dhe pengesa nga ekzekutivi.

“Nuk është çështje e raporteve personale, është çështje e koncepteve. Është e koncepteve pak më të mëdha, sidomos integruese. Janë dy botë komplet të ndryshme. Presidentja Osmani për pesë vite ka punuar pareshtur në procesin e njohjeve, në procesin e themelimit të raporteve të shëndosha ndërkombëtare, në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ruajtjes së miqësive, ndërtimit të besimit në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi, shpesh ka pasur edhe pengim nga qeveria për këto gjëra. Dhe siç duket, tani kanë dalë në sipërfaqe ato tendencat e hershme, që ndoshta ata besojnë se mund ta mbajnë Kosovën edhe pa miq. Ky është problemi dhe ne e shohim si problem serioz këtë”, shtoi kandidati për deputet i LDK-së.

Duke prezantuar ofertën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, ai tha se partia synon të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike. Sipas tij, programi parasheh integrimin e 40 mijë të rinjve në tregun e punës gjatë mandatit të parë qeverisës.

Hasanpapaj përmendi edhe projektet në sektorin e energjisë, duke përfshirë ndërtimin e një termocentrali me gaz, si dhe investime në energjinë e ripërtëritshme përmes kapaciteteve të reja solare dhe të erës.

“LDK-ja ofron një agjendë investive. Tash, ndërtojmë Kosovën, një projekt zhvillimor, ku zhvillohet duke investuar në sektorët kryesorë. Do të ketë punësim, 40 mijë të rinj e të reja ne planifikojmë menjëherë t’i integrojmë në tregun e punës në mandatin e parë qeverisës. Domethënë, premtojmë dhe i realizojmë sepse është lehtësisht e bëshme. Në sektorin e energjisë, termocentralin me gaz, me gaz amerikan, 500 megavat energji solare, 500 megavat energji të erës. Jemi i vetmi vend në rajon që s’kemi asnjë park solar. A e kupton? Dhe tash e gjashtë vjet, sidomos pas pandemisë, është zhvilluar shumë prodhimi i energjisë solare, dhe ne jemi totalisht mbrapa”, theksoi ai.

I pyetur për angazhimin e tij politik në të ardhmen në LDK, Hasanpapaj që u fut në garë nga të qenit analist i zhvillimeve politike, deklaroi se ka vendosur të mbetet pjesë e politikës dhe se synon të japë kontribut në institucionet e vendit, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Unë e kam pasur të vështirë të marr vendimin të hyj në politikë, por tani që kam hyrë, unë do të qëndroj për më gjatë... Kudo që mua më kërkohet kontributi, unë pa asnjë hezitim do ta jap. Së pari kemi këtë garë zgjedhore dhe unë do të shpresoj deri në momentin e fundit që do të bëhem deputet, po kërkoj besimin e qytetarëve, kudo që shkoj me çdo punë që bëj. Po kërkoj besimin e qytetarëve dhe me shpresë do të jem një nga deputetët në tempullin e demokracisë, në Kuvendin e Kosovës, ku do të punoj me pasion të pashtershëm për t’i ofruar vendit institucione dhe sidomos ligje të mira... Absolutisht, nuk është biseda kjo se ku ka më shumë sesa të jesh në listën e LDK-së. Për momentin, ne jemi të përqendruar që të gjithë bashkërisht për zgjedhjet e 7 qershorit”, potencoi Hasanpapaj.

Në anën tjetër, ai kritikoi partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, se po keqpërdor resurset shtetërore në fushatën zgjedhore, derisa vlerësoi se pretendimet për të arritur mbështetje prej 60 për qind të votuesve janë joreale.

“Kanë me i kaluar 60 vjet e s’kanë me i marrë kurrë 60%. A është tmerr për demokracinë? Edhe tendencat e tyre janë të atilla, sulm ndaj demokracisë. Sulm ndaj demokracisë! Anarki është, anarkike është ajo. Domethënë, është një gjë që është e parealizueshme, është utopike. Kanë rënë tashmë, kanë rënë tashmë ata. Prandaj ka abuzime. Po të mos kishin rënie, nuk do të kishin abuzuar në mënyrë kaq flagrante me resurset shtetërore që i menaxhojnë”, përfundoi ai. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026