Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, deklaroi sot se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po mbahen padrejtësisht në Hagë, duke theksuar se ndaj tyre nuk ka prova bindëse për akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
Gjatë një takimi të mbajtur në Prishtinë, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hajdari tha se gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka elemente të drejtësisë evropiane.
“Ne shpresojmë te drejtësia e tyre. E pret një komb i tërë. Nuk e pret vetëm Kosova, por e pret Shqipëria, Maqedonia, shqiptarët që janë në Evropë, shqiptarët që janë në Amerikë. 10 milionë shqiptarë presin drejtësi për çlirimtarët. Kurrë nuk mund të ndodhë të barazohet viktima me agresorët. Dëshmitarët që paraqitën katër udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës, ishin dëshmitarë potencialë, duke filluar me ish-zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarë të agjencive ligjzbatuese dhe politikanë me integritet të padiskutueshëm, të cilët iu treguan gjyqtarëve dhe prokurorëve që këta katër burra mbahen padrejtësisht në burg”, theksoi Hajdari.
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati u shpreh se populli shqiptar nuk ka bërë krime por paramilitarët serbë, të cilët mbi 465 masakra mbi civilët shqiptarë.Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë deri më 20 korrik 2026.
Me këtë rast, Shkëlqim Hajdari e mirëpriti dekoratën e dhuaraur nga OVL-UÇK dhe e çmoi lartë, duke theksuar se Tirana ka qenë në krah të Kosovës qysh në momentet e fillimit të rezistencës hapur me armë në dorë të UÇK-së.