Policia e Kosovës njofton se sot rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar, nga një person i cili ka komunikuar në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes (bombë).
“ Njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike”.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia informon se ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës njofton opinionin publik se më 30.06.2026, rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar, nga një person i cili ka komunikuar në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes (bombë).
Pas kontrollit të plotë dhe të detajuar të objektit dhe zonës përreth nga njësitë e specializuara, nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes. Pas përfundimit të procedurave të sigurisë, Stacioni i Autobusëve është rihapur dhe ka vazhduar funksionimin normal.
Ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt.
Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore.
Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, profesionale dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para organeve të drejtësisë çdo person që tenton të cenojë sigurinë publike dhe të krijojë frikë te qytetarët e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës i falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë ndërmarrjes së masave të sigurisë.
Policia e Kosovës mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar rendin publik, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të luftuar pa kompromis çdo veprim kriminal që synon të cenojë sigurinë dhe qetësinë publike në Republikën e Kosovës.