Policia jep detaje për aksidentin fatal ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Policia jep detaje për aksidentin fatal ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku
Fatjon Bunjaku
07/06/2026 - 12:24
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e rëndë të trafikut në të cilin ka humbur jetën futbollisti 22-vjeçar Fatjon Bunjaku.

Sipas njoftimit policor, aksidenti ka ndodhur më 7 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj të Vushtrrisë. Në aksident është përfshirë një veturë.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Megjithatë, rreth orës 07:50, Policia ka pranuar njoftim nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës se, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, drejtuesi i automjetit, Fatjon Bunjaku, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në aksident.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i 22-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia ka bërë të ditur se hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik.

Vdekja e Bunjakut ka tronditur komunitetin sportiv në Kosovë. Futbollisti nga Vushtrria ishte i njohur në futbollin kosovar dhe humbja e tij në moshë të re ka ngjallur reagime të shumta nga familjarë, miq, bashkëlojtarë dhe institucione sportive.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026