Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka shpërthyer në akuza të rënda ndaj legjendës së klubit, Roy Keane, duke e quajtur atë publikisht "gënjeshtar".
Kjo deklaratë vjen pas një jave historike për portugezin, i cili të dielën kundër Brightonit regjistroi asistimin e tij të 21-të në Premier Ligë, duke thyer rekordin historik të Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi për "The Diary of a CEO", siç raporton portali i njohur britanik Daily Mail Sports, Fernandes zbuloi se kishte kërkuar edhe numrin e Keane për t'u sqaruar personalisht me të.
"Gjithmonë kam thënë se nuk më prish punë kritika... Ajo që nuk më pëlqen është kur njerëzit gënjejnë për gjëra, dhe në këtë rast, ajo që ka thënë Roy Keane është gënjeshtër. Fatmirësisht për mua çdo gjë është e regjistruar," deklaroi Fernandes."Madje i kërkova Ole-s numrin e tij për t'i dërguar një mesazh e për të biseduar, për t'i thënë: 'Nuk më pengon kritika, por nuk më pëlqen kur njerëzit gënjejnë për gjërat që them', sepse kjo i kalon kufijtë e asaj që unë e konsideroj të pranueshme."
Fernandes shtoi se nuk e ka problem nëse Keane e quan lojtar apo kapiten të keq, por nuk mund të pranojë që t'i tjetërsohen fjalët.