Për shkak të mospajtimeve mes pozitës dhe opozitës, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Anëtarët e komisionit nuk u pajtuan për paragrafin 2 të nenit 2 të projektligjit, ku flitet për objektivin kryesor të Bordit të Paqes. Kësisoj, u vendos për formimin e një grupi punues për të modifikuar këtë nen.
Kryetarja e komisionit, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi nevojën e formimit të këtij grupi punues, siç tha, për të riformuluar atë paragraf, pasi duhet të dihet se bëhet fjalë për rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Asaj i reagoi anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, deputeti Lutfi Haziri. Sipas tij, për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes ka pasur dallime mes kryeministrit Albin Kurti dhe ish presidentes Vjosa Osmani.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Kosova duhet të ndihet e privilegjuar që ka marrë ftesë për anëtarësim në Bordin e Paqes.
Komisioni vendosi që grupi punues të mblidhet javën e ardhshme për të harmonizuar dhe dakorduar projektligjin. Kosova ka marrë ftesë për anëtarësim në Bordin e Paqes më 22 janar të vitit 2026. /KosovaPress/