Mbrëmë në orën 24:00, është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Këto obligime kanë vlejtur vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.
Deri në përfundim të afatit (1 maj – 7 maj 2026) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione, të përbëra nga 9 parti politike.
Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.
Partitë politike që kanë njoftuar formimin e koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.