Gjatë javës që lamë pas, Federata e Padelit e Kosovës organizoi Kupën e Kosovës në padel për vitin 2026, një turne i rëndësishëm që përcaktoi dyshet përfaqësuese të Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Ky edicion u karakterizua nga ndeshje me nivel të lartë, rivalitet i fortë dhe performanca mbresëlënëse nga pjesëmarrësit, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të padelit në vend.
Pas një paraqitjeje shumë të mirë dhe dominuese, Lorik Rexhepi & Osman Reçica u shpallën fitues të Kupës së Kosovës në padel për vitin 2026, duke triumfuar në finale me rezultat 6-1 / 6-4 ndaj Edon Ymeri & Art Grubi.
Rruga drejt titullit për Lorik Rexhepi & Osman Reçica ishte sfiduese, pasi ata u përballën me kundërshtarë të fortë gjatë gjithë turneut, përfshirë edhe dyshen favorite, duke i menaxhuar me sukses të gjitha sfidat deri në finale.Me këtë fitore, Lorik Rexhepi & Osman Reçica fitojnë të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, duke e kurorëzuar kështu një turne të suksesshëm për ta.
Interesimi i madh i publikut dhe atmosfera në Padel Zone e shndërruan këtë finale në një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të momentit në vend. Kupa e Kosovës në padel vazhdon të dëshmojë rritjen e shpejtë të këtij sporti dhe potencialin e tij për zhvillim të mëtejmë në arenën ndërkombëtare.