Për herë të parë një kryeministër shqiptar në Maqedoni, sot votohet Qeveria teknike
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë sot Qeverinë teknike me mandatar Talat Xhaferin.

Në ora 11:00 do të fillojë seanca me një pikë të vetme të rendit të ditës - zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.

Roli dhe kompetencat e kryeministrit teknik, i cili buroi si ide e negociatave të “Përzhinës” në vitin 2015 është i kufizuar, përkatësisht është i cunguar nga fuqia ekzekutive.

Ligji mbi Qeverinë përcakton kompetencat e organit ekzekutiv dhe të resorëve brenda saj, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga opozita apo kanë zëvendësministra plotësues.

“Të gjitha aktet e kompetencave udhëheqëse duhet të nënshkruhen nga zëvendësi plotësues, përkatësisht zyrtari udhëheqës-plotësues. Derisa akti nënshkruhet vetëm nga një person, konsiderohet se i njëjti nuk ka fuqi juridike dhe nuk mund të ekzekutohet”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 44.

“Secili akt i bazuar në këtë ligj i dorëzohet ministrit dhe zëvendësministrit plotësues. Ministri dhe zëvendësministri plotësues janë të obliguar që menjëherë dhe në afat më së voni prej një dite të miratojnë ose hedhin poshtë aktin e bazuar në ketë ligj”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 46.

Talat Xhaferi në cilësinë e mandatarit i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, përfshirë edhe programin qeverisës.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpalosur emrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të parë shqiptar.

Emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.

Sa i takon VMRO-DPMNE-së, partia e propozoi Pançe Toshkovskin për ministër të Brendshëm, Gjoko Velkovskin për Punë dhe Politikë Sociale, Elena Petrova- zëvendësministre shtesë për Financa, Stefan Andonovski për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave.

Për ministra pa portofol janë propozuar Bojan Mariçiq për çështje evropiane, Fatmir Bitici për çështje ekonomike dhe Slavica Grkovska për politika për qeverisje të mirë.

Shefi aktual i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Mitko Bojmacaliev është kandidat për zëvendësministër shtesë të Punëve të Brendshme, ndërsa në postet ministrore në kulturë, mjedis jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi, janë propozuar ministrat e deritanishëm të LSDM-së.

VMRO-DPMNE ka njoftuar se do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, por nuk do të votojë Qeverinë teknike. Lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski tha se nuk pret komplikime gjatë Qeverisë teknike.

Ndryshe, në vendin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të cilin e mbante Talat Xhaferit është zgjedhur Jovan Mitreski.

Në programin e publikuar në faqen e Kuvendit, ndër të tjera, shkruhet se prioritet kryesor i Qeverisë është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare të lira, të ndershme dhe demokratike të 24 prillit dhe 8 majit.

Qeveria që do të votohet sot do të jetë e treta dhe me gjasë e fundit e karakterit të tillë. E para u zgjodh në vitin 2015 nën udhëheqjen e Emil Dimitriev, ndërsa e dyta në vitin 2020 nën udhëheqjen e Oliver Spasovskit, por mandati i saj u zgjat për arsye të rrethanave me pandeminë COVID-19. Qeveria teknike do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. /Alsatmk

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024