PDK përmbyll fushatën, Hamza premton fundin e krizës dhe nisjen e zhvillimit në Kosovë
Zgjedhjet 2026
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
PDK përmbyll fushatën, Hamza premton fundin e krizës dhe nisjen e zhvillimit në Kosovë
hamza 060626
06/06/2026 - 22:23
Linku u kopjua

Përmbyllja e fushatës zgjedhore të PDK-së në Prishtinë është shoqëruar me kritika ndaj qeverisë aktuale dhe premtime për ndryshim, ku kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka deklaruar se qytetarët janë lodhur nga kriza, kaosi dhe konfliktet e përditshme, duke premtuar se një qeveri e re nga PDK-ja, do ta drejtojë Kosovën drejt zhvillimit, stabilitetit dhe rezultateve konkrete.

Hamza tha se zgjedhjet përfaqësojnë një mundësi për t’i dhënë fund krizës dhe për të nisur një kapitull të ri për vendin.

“Jemi mbledhur për të ndalur një kapitull të krizës dhe kaosit që ka kapluar Kosovën për të thënë qartë secilit qytetarë ne jemi gati ta ndalim krizën. Të dielën ne e ndajmë votën, qe ka një qëllim, me shpresë, për PDK. Të hënën fillon ndryshimi madh ne do të jemi qeveria e re, do ta kthejmë nga kriza drejt zhvillimi. Nga e hëna e tutje bashkë ne do ta bëjmë Kosovën më të mirë. Gjatë këtyre jave kemi udhëtuar në gjithë Kosovën, kam dëgjuar shqetësimet e tyre kam parë lodhjen e tyre e shqetësimin, por kam parë shpresë se Kosova mund të ndryshojë. Shpresa e juaj është e drejtë, ndryshimi është i mundur dhe fillon me votën tuaj. Kosova sot nuk është aty ku duhet të jetë, familjet po përballen me çmime të larta, po e kanë të vështirë ta mbushin shporten, pensionerët, bizneset e shëndetësia ende nuk e jep shërbimin qe qytetari e meriton. Kosova është lodhur nga konfliktet e përditshme, nga arroganca e propoaganda. Qytetarët nuk duan më drama, as arsyetime. Një qeveri qe lufton me të gjithë por nuk zgjidh problemet e askujt. Duan stabilitet e rezultate”, tha Hamza.

Ai tha se kjo fushatë ka ofruar dy alternativa të qarta për qytetarët, duke e cilësuar PDK-në si rrugën e zhvillimit dhe stabilitetit, ndërsa akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për keqpërdorim të institucioneve dhe mungesë llogaridhënieje.

Duke prezantuar prioritetet e programit të tij qeverisës, Hamza premtoi ulje të TVSH-së për produktet bazë, rritje të pagave dhe pensioneve, mbështetje për bizneset dhe investime në sektorë kyç.

Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë dhe kandidati për deputet, Uran Ismailj ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se qytetarët po përballen me largimin e të rinjve, mungesën e barnave në spitale, paga të pamjaftueshme dhe përçarje shoqërore.

Ai nga tubimi në Prishtinë, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një qeveri që merret me problemet e qytetarëve dhe jo me sulme politike, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim qytetar dhe besim në Kosovë.

Ismaili tha se nuk mund të flitet për përmirësim të gjendjes kur të rinjtë po largohen nga vendi, ndërsa shtoi se Kosova është ndërtuar falë veprave dhe vizionit të njerëzve që nuk janë dorëzuar në periudhat më të vështira, duke përmendur komandantin legjendar Adem Jashari, ish presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

“Nuk mundemi me thënë hajt se bëhet më mirë kur të rinjtë ikin, kur spitali nuk ka barna, kur paga nuk mjafton, kur ndahen e fyen për shkak te apetiteve përçarëse të dikujt. Shteti jonë nuk është ndërtuar nga njerëz që kanë ndjekur duarkryq. Është ndërtua me vepra e me fjalë. Kjo ndoshta është forca më e madhe e popullit tonë. Në kohët më të vështira ne jeni pasur njerëz që kanë ditur e kanë lexuar me imagjinua Kosovën ndryshe. Një kohë jo shume te largët, edhe shkollat shqipen dukeshin të pamundura, liria e pamundur, por të mos kishim pasur guxim, ya imagjinohen një Kosovë, këto ideale, nuk do kishim këtë flamur, e këtë të drejtë që nesër me votën tonë ta ndryshojmë Kosovën… Në kohë te plogështisë, disa djem të rijnë, të rritur në rezistencë dhe përballje me padrejtësinë e kuptuan se historia kërkonte një përgjigje të re. Hashim Thaçi e Kadri Vesli bashkë me shokët e idealit, me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, u organizuar në projektin me të suksesshëm, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E ju veteranë, Ju nuk keni qenë zullumqarë kurrë”, tha Ismaili.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, PDK kandidon me numrin 125.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026