PDK në Lipjan, Hamza zotohet për ekonomi më të fortë dhe mirëqenie
Zgjedhjet 2026
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
PDK në Lipjan, Hamza zotohet për ekonomi më të fortë dhe mirëqenie
PDK30
30/05/2026 - 18:30
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar të shtunën fushatën zgjedhore në Lipjan, ku kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar programin e partisë, duke shpalosur zotimet për ekonomi, paga, shëndetësi dhe mbështetje për kategoritë e dala nga lufta.

Para mbështetësve në Lipjan, Bedri Hamza, duke kritikuar qeverisjen aktuale tha se Kosova ka potencial dhe njerëz, por sipas tij po qeveriset nga një ekzekutiv pa rezultate konkrete.

“Kosova ka njerëz, Kosova ka shpresë po Kosova ka një qeveri të dobët. Një qeveri pa rezultate, një qeveri që ndan, një qeveri që bën propagandë, një qeveri që në fund të mandatit nuk mundet me listuar projektet dhe të arriturat e saj. Qeveritë maten me rezultate, maten me të arritura, maten me realizim të programit, maten me përmirësim të jetës të qytetarëve”, deklaroi Hamza.

Duke folur për programin ekonomik të PDK-së, ai tha se zhvillimi i sektorit privat është kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Do të bëjmë reforma edhe në pjesën e politikave fiskale përmes reformës të TVSH-së, përmes lehtësirave dhe pushimeve tatimore për të gjitha investimet mbi 500 mijë euro dhe për të gjitha ndërmarrjet që punësojnë mbi 50 punëtorë. Do të subvencionojmë ndërmarrjet prodhuese dhe ndërmarrjet eksportuese. Do të përkrahim të gjitha bizneset të cilat kanë projekte me fizibilitet dhe të cilat kontribuojnë në punësim në Kosovë. Do të lehtësojmë qasjen në financa përmes krijimit të tregut të kapitalit, përmes mundësisë të financimit alternativ, përmes rritjes së fondit për garantimin e kredive”, tha ai.

Në adresimin e tij, kandidati i PDK-së kritikoi edhe ndarjen e mbështetjes financiare prej 100 eurosh për kategori të caktuara, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshme dhe të motivuar nga fushata zgjedhore.

Hamza ka premtuar mbështetje për familjet e reja përmes mbulimit të diferencës së kostos ndërmjet çerdheve publike dhe atyre private, duke e cilësuar këtë si një masë konkrete në përkrahje të prindërve të rinj.

Në fillim të tubimit Kryetari i Degës së PDK-së në Lipjan, Shukri Buja, tha se qytetarët po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike dhe krizë, duke i ftuar ata që përmes votës të mbështesin ndryshimin.

Ai kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se institucionet shtetërore po dëmtohen për shkak të, siç u shpreh ai, ambicieve personale për pushtet.

Duke folur për kontributin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai theksoi se ata nuk kërkojnë privilegje, por trajtim dinjitoz dhe respekt.

“Ne çlirimtarët nuk kërkojmë lëmoshë, por kërkojmë jetë me dinjitet dhe respekt që e garanton edhe ligji”, u shpreh Buja.

Gjatë tubimit, Buja prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga Lipjani, duke kërkuar mbështetje për ta në zgjedhjet e ardhshme, e ata janë Fitim Selimi, Argjent Tasholli, Mentor Ismaili, Fidan Smaili.

Në fund, kandidati i PDK-së u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen për zgjedhjet e 7 qershorit dhe të votojnë për partinë e tij.

Hamza kërkoi nga mbështetësit që të bisedojnë me familjarët, miqtë dhe të njohurit e tyre për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe në votime, duke e cilësuar procesin si vendimtar për ndryshimin e situatës në vend.

Ai gjithashtu përmendi ish-krerët e PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke thënë se edhe ata presin fitoren e partisë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026