Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë letër, Kryetari Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.
Sipas njoftimit të PDK-së, ai i bën thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.
