Pas stuhive me breshër e rrufe, IHMK tregon si do të jetë moti të premten
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Pas stuhive me breshër e rrufe, IHMK tregon si do të jetë moti të premten
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të premten mbi vend do të mbajë mot i vranët me intervale me diell, ndërsa në disa zona vranësirat mund të sjellin riga lokale shiu.
Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7 dhe 10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 22 deri në 26 gradë.
Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
Sa i përket aspektit agrometeorologjik, IHMK vlerëson se kushtet do të jenë të favorshme për kulturat pranverore, ndërsa lagështia në tokë pritet të mbetet në nivele të mira për shumicën e bimëve.
Ndërkaq, Instituti ka bërë të ditur se gjatë ditës së enjte në disa pjesë të Kosovës janë regjistruar reshje me intensitet shumë të lartë, të shoqëruara me shkarkime rrufesh dhe breshër.
Sipas të dhënave të IHMK-së, zona e Llapit ishte ndër më të prekura. Në Stacionin Automatik Meteorologjik në Shajkoc (ujësjellësi Batllavë) janë regjistruar 15.8 milimetra reshje, ndërsa vetëm rreth një kilometër larg, në fshatin Shajkoc, janë matur 28.2 milimetra reshje, apo 12.4 milimetra më shumë.
IHMK thekson se e gjithë kjo sasi reshjesh ka rënë brenda intervalit kohor nga ora 11:00 deri në 12:00, duke u klasifikuar si reshje me intensitet shumë të lartë.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.