Banorët e Magurës së Lipjanit kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që personat e përfshirë në incidentin e fundit në fshat të mos lejohen të kthehen më në Magurë.
Peticioni u nënshkrua gjatë një takimi të mbajtur me banorët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit lidhur me incidentin në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në përfundim të takimit u vendos që peticioni t'i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.

Anëtari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramë Bardhi, tha se personat që ai i cilësoi si përgjegjës për ngjarjen nuk duhet të lejohen të rikthehen në fshat.
“Shyqyr që s’ka ndodhur më e madhe, se ka mundur me ndodhur diçka hala më keq, po u ndal me aq. Unë jam i mendimit, në qoftë se edhe ju pajtoheni, këta kriminelë i kemi marrë emrat tuaj në nënshkrime krejt, mos me u kthyer në Magurë më kurrë”, tha ai.“Kjo nuk ka ndodhur me tri familje, por ka ndodhur me krejt familjet e Magurës. Është rast i të gjithëve”, theksoi Bardhi.
Kryetari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramiz Gashi, tha se ngjarja e fundit ka tronditur banorët e fshatit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për çdo informacion që kanë lidhur me rastin.
“Jemi shumë të shqetësuar për rastin e fundit me ushtarin tonë, Bekim Meta të cilin e kanë prekuar do duar kriminale”, theksoi ai.
“Unë dua t’ju them të gjithë bashkëfshatarëve të mi se çdo vendim që do të merret, edhe ne ashkalinjtë jemi me ju”, theksoi ai.
Gjykata në Lipjan vendosi masë të arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në incident.