Një ceremoni e veçantë diplomimi është mbajtur në British Gymnasium of Technology, ku gjashtë nxënës të klasave të 11-ta kanë parakaluar me uniforma ceremoniale të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky organizim, i realizuar për herë të parë në Kosovë në këtë shkollë të mesme, e cila u mbështet nga themeluesi i gjimnazit, Muzafer Shala, ndërsa ideatori i uniformave ceremoniale të veteranëve ishte ish-eprori i UÇK-së, Ferid Berisha, i njohur si komandat “Shkupi”.
Berisha tha se përmes këtij projekti synohet që trashëgimia e bartjes së uniformvae të veteranëve të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Veteranët si të tillë, veteranët të gjithë e dinë se çka kanë përjetu dhe çka kanë bërë për vendin. Paraqitja e veteranëve ose uniforma e veteranëve, qëllimi është me ngrit ndjenjën te të rinjtë, me ngrit patriotizmin edhe dashurinë. Dhe unë besoj që edhe shkollat e tjera do ta përqafojnë këtë projekt dhe do të vazhdojnë sepse qëllimi është vazhdimësia e veteranëve edhe pasi mos të jenë veteranët…Kemi ardhë në përfundim së bashku që uniforma e veteranëve të ketë, studentët në këtë rast të kenë një emër dhe emri i tyre do të jetë Kadet e Lirisë. Dhe ata do të përfaqësojnë shkollën, çdo shkollë domethënë do ta ketë emblemën e vet, do ta përfaqësojnë me emrin Kadet e Lirisë dhe e veçanta e kësaj uniforme është që ata do të bartin beretën e bardhë, e cila përfaqëson paqen. Domethënë mesazhi i studentëve është të përfaqësojnë paqen”, tha komandati.Ndërkaq, Muzafer Shala, tha se ideja për këtë organizim ka ardhur si formë respekti për historinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.
“Ne e kemi parë nëpër shumë vende praktikohet që njerëzit kalojnë me uniforma të ushtrisë, ka kadetë që demonstrojnë, sidomos pjesën ceremoniale ku intonohet himni, dhe kemi menduar që çka është më e mira. Veteranë të UÇK-së nuk ka me pasur më kurrë, një herë ka pasur, dhe kemi menduar që, nxënësit tanë me pasë me parakaluar me uniformën e veteranit. Këta nuk janë veteranë dhe jemi pajtuar me ideatorët e uniformës së veteranit të UÇK-së që me pasë këtu ku i shkruan, Freedom Cadets. Domethënë që i bie kadetët e lirisë, dhe e kanë edhe logon e shkollës dhe është i vetmi rast ku lejohet prej ideatorëve për me mund me u përdor uniforma e veteranit prej dikujt që nuk është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në ceremoni të diplomimit. “, u shpreh Shala.
Ceremonia u zhvillua në prani të disa veteranëve të UÇK-së, mysafirëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të jetës publike, ndërsa organizatorët thanë se synojnë që ideja e “Kadetëve të Lirisë” të shndërrohet në një traditë që do të ruajë dhe promovojë vlerat historike e kombëtare te brezat e rinj.