Në tubimin e bashkimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kandidatja e kësaj partie për presidente ,Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e unitetit politik, forcimit të shtetit dhe vazhdimit të rrugës euroatlantike të Kosovës, me theks të veçantë në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani e nisi fjalimin duke folur për bashkimin politik dhe rikthimin në një rrugë të përbashkët, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për të ardhmen e vendit dhe stabilitetin institucional.
Ajo theksoi se dallimet politike nuk duhet të shihen si pengesë për bashkëpunim, duke shtuar se lidhjet politike dhe institucionale janë më të forta se mospajtimet e përkohshme.
“Ka nga ata, ka nga ata që ushqehen nga kriza e kaosi në kurriz të shtetit. Ka nga ata që e quajnë veten të pazëvendësueshëm, pikërisht duke mbajtur qytetarin peng të frikës e viktimë të linçimeve. Kush do ta kishte imagjinuar 27 vjet pas luftës, që dikush do të konsiderohet si pengesë vetëm, sepse i ka hapur dyert Kosovës. Të konsiderohesh si pengesë kur flamuri i Kosovës nisi të ngrihej lart nëpër forume botërore, ku dikur as nuk na ftonin. Pengesë nga ata që nuk e ngrejnë dot këtë flamur as brenda forumeve të tyre të brendshme e lëre më në forume ndërkombëtare. Të konsiderojnë si pengesë kur partneriteti me ShBA-të u bë më i fortë se kurrë. Kur BE-ja nisi të hiqte masat kundër Kosovës. Kur rruga drejt NATO-s nuk ishte më slogan, por proces real e i mbështetur nga aleati ynë strategjik. Kush do ta kishte imagjinuar se të gjitha kytë bëhen pengesë dhe frikë, e arsye për bllokadë të shtetit tonë dhe zgjedhje të panevojshme.” , tha ajo.“Kush do ta kishte imagjinuar që konsiderohesh pengesë sepse e do Kosovën si shtet, ku ushtari i Kosovës mbron paqen krah për krah me ushtarin amerikan e jo si një shtet ku politikanë të caktuar thonë se duhet t’i qeshim e t’i kërkojmë qira. Një shtet serioz nuk i fyen miqtë. Një shtet serioz nuk i teston aleatët e lirisë, por punon bashkë me ta në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetueshmërisë së vendit tonë. Sepse historia jonë dëshmon se sa herë kemi qenë pranë aleatëve tanë kemi fituar e sa herë egoja është vendosur mbi shtetin, kemi paguar çmim të lartë. Pra, po e kuptoni tani, që ata presidencën e donin si një simbolikë, e donin si një hiç e jo të fortë siç na la amanet Presidenti Rugova”, u shpreh Osmani.
Ajo tha se Kosova sot nuk shihet më vetëm përmes së kaluarës së saj të dhimbshme, por edhe përmes suksesit diplomatik dhe shtetndërues. Osmani kritikoi ashpër, siç u shpreh ajo, disa qasje politike që, sipas saj, e dëmtojnë shtetin dhe marrëdhëniet me aleatët.
Në fund ajo theksoi se Kosova gjendet përballë dy rrugëve: izolimit dhe krizës politike ose stabilitetit dhe forcimit të shtetit përmes aleancave ndërkombëtare. Osmani tha se ka zgjedhur rrugën e dytë, atë të bashkëpunimit dhe forcimit të shtetit.
Osmani gjithashtu konfirmoi bashkëpunimin politik në kuadër të listës së përbashkët me kandidatin për kryeministër, duke theksuar se prioritet mbetet mbrojtja e shtetit dhe jo interesat partiake.
“Ata e donin presidencën veç në deklarata, jo në tavolinat e vendimmarrjes botërore. Ata e donin duke trokitur në organizata ndërkombëtare, por jo duke ushtruar ndikim në to. Dhe kur Kosova filloi të ngrihej lart e më lart, rrugëtimi u bë i vështirë e më i vështirë. Dhe për çudi, pengesat nuk vinin vetëm nga armiqtë e njohur, por edhe nga miqtë e shtirur. Kur Amerika donte të ndihmonte Kosovën për të forcuar pavarësinë e saj energjetike, u sabotuan projektet strategjike dhe si rezultat i kësaj sot rëndojnë këtë jetë dhe xhepin e qytetarëve. Kur ftohesha në Këshillin e Sigurimit dhe në Samitin e NATO-s, kërkesat më të mëdha për mospjesëmarrjen time vinin pikërisht nga brenda Kosovës. Dhe këta duke menduar se më godisnin mua, e godisnin Kosovën. Pra, më shumë shpenzim energjie për pengesa dhe bllokada sesa për fitore diplomatike. Dhe atëherë e kupton se nuk je përballë një dallimi politik normal. Je përballë frikacakëve. Je përballë frikacakëve, të cilët i druhen forcimit të Kosovës. Je përballë frikacakëve, të cilët e hedhin gurin e fshehin dorën. Je përballë dy mentaliteteve krejt të kundërta. Dy mentalitete krejt të kundërta shtetërore. Njëra që izolon Kosovën e njëra që ia hap Kosovës dyert e botës dhe njëkohësisht mbron sovranitetin e shtetit. Por, ka një gjë që historia e këtij populli na e ka mësuar gjithmonë: rrugët e mbyllura nga frikacakët gjithmonë hapen nga populli. Është populli që e di të vërtetën. Është populli që e njeh punën, të cilën asnjë propagandë, asnjë linçim, asnjë manipulim nuk do të mund ta zhbëjë kurrë. Është populli që e kupton se kur një rrugëtim i mirë për Kosovën ndërpritet padrejtësisht, ai nuk zhbëhet. Rikthimi është edhe më i fortë, rikthimi është edhe më i qartë, rikthimi është edhe më i vendosur e më i lidhur me zemrat e njerëzve”, tha ajo.