Orav: Kosova dhe Serbia do të përfitojnë pagesën e parë në kuadër të Planit të Rritjes
Intervista
Lexohet për: 5 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Kosova dhe Serbia do të përfitojnë pagesën e parë në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian pasi kanë bërë deklaratë në lidhje me procesin e normalizimit, thotë ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Orav, në një intervistë për KosovaPress, thekson se disbursimi i miliona eurove të para do të bëhet në fund të këtij viti, mirëpo nënvizon se para çdo pagese të ardhshme do të bëhet vlerësimi për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Jo, për momentin kjo pagesë e parë mund të ndahet sepse edhe Kosova edhe Serbia kanë bërë një deklaratë në lidhje me procesin e normalizimit mes dy vendeve. Por më pas, dua të them se po, para çdo pagese do të bëhet vlerësimi nëse tani ne si Bashkim Evropian mund t'i paguajmë këto para dhe kjo lidhet me procesin e normalizimit”, thekson Orav.
Sipas tij, Plani i Rritjes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është një projekt inovativ i Bashkimit Evropian.
Ai thekson se Kosova do të përfitojë mjaft shumë dhe është një mundësi e mirë për t’i shtyrë përpara reformat në rrugën e integrimit drejt BE-së.
“Ky Plan i Rritjes është një mjet shumë i ri dhe shumë inovativ i Bashkimit Evropian për të bashkëpunuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, ka shumë para në këtë projekt, dhe ka shumë mundësi se si t'i shtyjmë ato vende të bëjnë reformat që nevojiten për ato vende, por edhe ato që nevojiten për t'u afruar me Bashkimin Evropian. Dhe Kosova, siç e përmenda edhe më parë, ka miratuar agjendën e reformave gjë që është bërë shumë mirë. Dhe tani shpresojmë shumë që marrëveshjet e nevojshme do të ratifikohen në parlament sepse atëherë i hapet rruga Kosovës për t'i marrë këto para, dhe transferimi i parë tashmë është në pritje, kështu që mund të paguhet deri në fund të vitit, janë 60 milionë euro, por të gjitha së bashku, këto para për Kosovën janë gati 900 milionë euro”, thekson Orav.
Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ai tha se nuk e di se kur do të largohen ato, pasi ende s’ka një konsensus të 27 vendeve anëtare për një gjë të tillë.
Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që të punojë me vendet anëtare të BE-së dhe t’i bind se tani është momenti i duhur për largimin e masave.
“Përgjigja ime e shkurtër është se nuk e di. Por për ato masa Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell këtë verë bëri një raport dhe rekomandimi i tij ishte heqja e masave. Por nuk është vetëm për përfaqësuesin e lartë, në Bashkimin Evropian ne po punojmë në fazat e konsensusit, ne kemi 27 shtete anëtare dhe deri më tani nuk e kemi gjetur këtë konsensus, kështu që duhet të vazhdojmë të punojmë drejt këtij konsensusi dhe më pas duhet të punojmë ngushtë me qeverinë e Kosovës këtu, sepse qeveria e Kosovës duhet t'i bindë të gjitha shtetet anëtare se, po, tani është koha e duhur për t'i hequr ato masa”, deklaron ai.
Sipas tij, situata në veri ende është e paqëndrueshme dhe e brishtë.
“Situata [në veri] është ende mjaft e paqëndrueshme dhe e brishtë. Ne po ndjekim nga afër gjithçka që po ndodh në veri, në zyrën tonë të BE-së dhe zyrën tonë të EULEX-it gjithashtu, po raportojmë përsëri në Bruksel dhe në kryeqytetet tona, dhe po komunikojmë nga afër në baza ditore edhe me zyrtarët e qeverisë. Kështu që përsëri, dua të them, shpresoj shumë që edhe për veriun të jemi shumë më pozitiv vitin e ardhshëm në raportin e vendit”, shton Orav.
Në anën tjetër, Orav e konsideron të domosdoshme koordinimin e qeverisë me aleatë sa i përket hapjes së Urës së Ibrit.
“Nuk dua të them kështu se kjo urë është problem për Bashkimin Evropian. Por, po, kjo urë është diçka që të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimet në Kosovë po flasin për këtë urë. Dhe tani, shpresojmë shumë që nëse hapja e urës do të bëhet, atëherë kjo do të bëhet në një bashkëpunim shumë të ngushtë me Bashkimin Evropian, me komunitetin ndërkombëtar dhe më vjen mirë që i kemi ato angazhime nga qeveria”, deklaron Orav.
Sa i përket aplikimit të Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, Orav thotë se deri tani s’ka një konsensus të vendeve anëtare të BE-së për dhënien e dritës së gjelbër për Kosovën.
“Komisioni Evropian është i gatshëm të shtyp butonin për të filluar përgatitjen e pyetësorit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës menjëherë pasi të gjitha shtetet anëtare të kenë dhënë detyrën për ta bërë. Dhe për këtë na duhen sërish 27 shtete anëtare që thonë se, po, duhet të fillojmë ta bëjmë, por deri më tani nuk e kemi këtë konsensus”, përfundon ai./E.Zeqiri