Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.
Orav nënvizon se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për vendin, derisa e quan të domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.
“Është e vështirë për mua sepse dua të them se duhet të vazhdojmë, nëse do të jetë pak më ndryshe, apo një mënyre tjetër që nuk më takon mua ta them për momentin sepse unë jam thjesht ambasador këtu në Kosovë dhe nuk mund të jap këtë lloj mendimi për momentin, por Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe përfaqësuesi i ri i lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, thekson Orav.
“Gjatë këtyre viteve kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces të dialogut, janë arritur disa marrëveshje, dhe Asociacioni i shumicës serbe [komunave] është një nga marrëveshjet. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votave. Dhe është një detyrim ligjor për ta bërë atë, dhe për ta zbatuar atë, pra si në latinisht 'Pacta sunt servanda' [marrëveshjet duhet të respektohen], kështu që marrëveshjet duhet të respektohen dhe zbatohen”, shton ai.
Duke përmendur Raportin e progresit për vendin, ambasadori Orav, thotë se Kosova ka pasur përparim të mirë në disa fusha.
“Mendoj se do të veçoja katër fusha, njëra është liberalizimi i vizave, më në fund u krye dhe u desh shumë kohë, por më në fund është aty dhe tani liberalizimi i vizave po funksionon shumë mirë. E dyta është ndjekja vullnetare nga Kosova e politikës, së jashtme dhe të sigurisë, së përbashkët të Bashkimit Evropian. Dua të them se mund të tingëllojë pak e mërzitshme, por për ta thënë më konkretisht, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian në sanksionet e saj kundër Rusisë, kundër Bjellorusisë, dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse Kosova po e bën këtë në baza vullnetare. Pastaj e treta është agjenda e reformave, kur presidentja Ursula Von Der Layen ishte këtu ajo theksoi gjithashtu se sa mirë ka punuar Kosova me agjendën reformatore, dhe unë mund ta përsëris atë. Dhe fusha e katërt është CEFTA, sepse tani Kosova po merr pjesë në punën e CEFTA-s, janë zhbllokuar 12 marrëveshje të rëndësishme për rajonin dhe mendoj se ky është një hap shumë i mirë për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit drejt tregut të përbashkët”, thekson Orav.
Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian, Orav deklaron se Kosova ka bërë progres të kufizuar në reformën në drejtësi.