Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit nuk pritet të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në vend. Ndërsa, gjuha e ashpër e partive politike po vlerësohet të jetë diçka e rëndomtë jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin.
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se deklaratat e shefit të NATO-së, Mark Rutte bëjnë thirrje për më shumë përkujdesje.
“Deklarata e shefit të NATO është që të ketë një përkujdesje më të madhe, por unë nuk shoh asnjë rrezik, asnjë lloj destabilizimi gjatë mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve, por as në të ardhmen... Nuk pres që të ketë ndonjë destabilizim apo incident. Madje, unë mendoj se nëse mund të ketë ndonjë incident të izoluar, mund të ketë në katër komunat veriore te komuniteti serb sepse ata janë të ndarë dhe të përçarë, duke marrë parasysh që deri në këto zgjedhje Lista Serbe iu ka bërë presion që gjithsesi t’i votojnë ata me urdhër të Serbisë, dhe tashmë qytetarët e komunitetit serb janë të vetëdijësuar dhe nuk kanë ndonjë presion sepse atje janë institucionet e sigurisë së Kosovës, të cilat janë në shërbim të secilit qytetarë dhe secilit komunitet”, theksoi Islami.
Shqetësimet për situatën në kohë të zgjedhjeve në Kosovë i shfaqi së fundit sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare.
“Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, ka thënë Rutte.