Oda Ekonomike e Kosovës ka përgatitur kërkesëpadinë për Gjykatën Supreme ndaj të paditurës Zyrës së Rregullatorit për Energji(ZRRE).
Sipas OEK, kjo kërkesëpadi është ushtruar me qëllim të mbrojtjes së bizneseve, ekonomisë së Kosovës dhe më e rëndësishmja, mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës si konsumatorë të fundit, kundër vendimit të padrejtë të ZRrE-së.
Rafuna, thekson KosovaPress se do të përdorin të gjitha mundësitë e tyre si odë për të mbrojtur interesat e bizneseve në Kosovë.
“Hapat e parë janë hapat ligjor, dihet që ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ashtu siç edhe e kemi misionin si Odë Ekonomike e Kosovës e themeluar me ligj dhe ne sot do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme me kërkesë padi për anulimin e të gjitha akteve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike, po flas për aktet administrative. Deri sa në Gjykatën Komerciale nuk e kemi pasur një të drejtë ligjore të tillë që në emër të biznesit të shkojmë me padi ose me ankesë, ku kemi gjetur një hapësirë ligjore që në Gjykatën Supreme mund të drejtohemi në emër të anëtarëve dhe jo-anëtare të bizneseve”, deklaron Rafuna.
Ai po ashtu përmend se tashmë, 90 për qind e bizneseve që figurojnë në listat e KEDS dhe KESCO për shkyçje të energjisë elektrike veçse u janë ndërprerë kontratat dhe kanë mbetur pa energji elektrike.
“Sipas të dhënave që kemi nga KEDS dhe KESCO, janë 450 [biznese] që janë shkyçur deri më tani. Sipas njoftimit të tyre, kjo përbën nëntëdhjetë përqindëshin e atyre që i kanë në listë për shkyçje", theksoi ai.
Ai poashtu theksoi se për shkak të tregut të lirë ose çmimit të lartë të energjisë elektrike, shpenzimet totale të biznesit të tij do të rriten me 20 për qind.
Sa i përket padisë së Odës Ekonomike, Kelmendi tha se këso situata shkojnë shumë ngadalë në mënyrën juridike e theksoi se më me rëndësi është që Oda të takohet me liderët e shtetit që të ndërmarrin hapa më të shpejtë.
Edhe Partia e Demokratike e Kosovës (PDK) paralajmëron se gjatë kësaj jave do të dërgon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, vendim ky i cili detyron mbi rreth 1 mijë e 400 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një reagimi ka thënë se procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedural, derisa ka apeluar Qeverinë e Kosovës dhe ZRRE-në që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent.
