Nëntëdhjetë për qind e bizneseve janë shkyçur më 16 gusht nga furnizimi me energji elektrike, ndërsa pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen gjatë ditëve të ardhshme.
Lulzim Krasniqi nga KEDS ka thënë për KosovaPress se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur shkyçje të bizneseve nga rrjeti energjetik pasi është ditë pushimi, por një gjë e tillë do të vazhdojë javën tjetër.
Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë dhe njoftimit të pranuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS ka njoftuar bizneset që nuk kanë lidhur kontrata se do të detyrohen të zbatojnë vendimet duke paralajmëruar se mosveprimi do të rezultojë në shkyçje nga rrjeti duke filluar nga data 16 gusht.
KEDS ka theksuar se e ka të ndaluar ligjërisht të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që nuk kanë marrëveshje të vlefshme me një furnizues të licencuar.
“Ne ritheksojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, rritje të çmimit të produkteve, rrezikimin e mijëra vendeve të punës, uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë dhe mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore”, thuhet në reagimin e DhTIK.
Se do ta vazhdojnë betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), kanë thënë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës duke paralajmëruar mundësinë e ngritjes së çështjes në Gjykatën Supreme dhe nëse është e nevojshme, edhe në atë Kushtetuese.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës shkyçjen e bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike e ka cilësuar si një katastrofë kombëtare ekonomike duke theksuar se kjo situatë rrezikon mbi 100 mijë familje në Kosovë, për shkak të mungesës së furnizimit me energji dhe ndërprerjes së aktivitetit ekonomik të bizneseve.
Reagime ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka theksuar se bizneset e Kosovës kanë mbetur në mëshirë të mafisë energjetike.