Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të ndërmarrë veprime urgjente për mbështetjen e fermerëve, prodhuesve dhe përpunuesve vendorë. Po ashtu, OEK kërkoi që analizat për qumështin “Vita” të publikohen sa më shpejt nga ana e AUV-it, në mënyrë profesionale dhe të pavarur.
Të mërkurën, Oda Ekonomike e Kosovës organizoi një takim me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës dhe fermerë të vendit, ku u shprehën pakënaqësi lidhur me zhvillimet e fundit nga Ministria e Bujqësisë.
“Kërkojmë me urgjencë nga qeveria që të ndërmarrë veprime urgjente për mbështetjen e fermerëve, prodhuesve, përpunuesve, nëpërmjet politikave fiskale, administrative. Të ndërmarrë veprime urgjente për të zgjidhur problemin e daljes së prodhimeve tona, të qumështit në tregje jo vetëm rajonale po sidomos në tregun e BE-së. Të ketë kujdes në çdo deklarim por edhe çdo veprim administrativ që merr të respektohet prodhuesi, nuk jemi kundër kontrolleve, jemi për një transparencë dhe bashkëpunim të plotë. Kërkojmë në rastin konkret të Vitës, kam shumë presion që të bashkëpunoj Vita me vende të tjera, kërkoj me urgjencë që së më shpejt të dalin analizat në mënyrë profesionale dhe të pavarura”, tha Rafuna.
Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Artan Spahijaj, tha se kompania është e hapur për marrjen e mostrave dhe se të gjitha proceset janë të deklaruara sipas ligjit.
Ai tregoi se edhe të martën dy inspektorë kanë marrë gjashtë mostra të tjera.
Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, një javë më parë kanë inspektuar Qumështoren Vita dhe si rezultat i saj, menaxhmeni i kësaj kompanie mori vendim për mbylljen e përkohshme të fabrikës. Por, dje pas një marrëveshje në mes Ministrisë së Bujqësisë dhe fermerëve, është ripahur Vita për grumbullimin e qumështit.