Kanë nisur punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale Arllat–Malishevë, segment që lidh komunat e Drenasit dhe Malishevës.
Ky projekt kap vlerën afër 1.85 milionë euro, me të cilin do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, do të rritet siguria në komunikacion, do të krijohen kushte më të volitshme për qarkullimin e mallrave dhe për zhvillimin ekonomik, raporton KosovaPress.
Kurti përmendi se si do të lidhë fshatrat ky projekt.
“Për rikonstruktimin e rrugës rajonale R110, përkatësisht segmentit Arllat–Malishevë me gjatësi afër 11 kilometra e 800 metra. Ky segment nis në fshatin Arllat në nyjën lidhëse me rrugën nacionale N9 Prishtinë–Pejë, vazhdon përmes fshatrave Tërpezë e Ulët dhe e Lartë, pastaj Carralluk dhe përfundon në hyrje të Malishevës te tranziti i vogël ku bëhet lidhja me rrugën rajonale R119 Kijevë–Malishevë, punimet për ndërtimin e së cilës i nisëm muajin e kaluar. Me rehabilitimin dhe modernizimin e rrugës do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, do të rritet siguria në komunikacion, do të krijohen kushte më të volitshme për qarkullimin e mallrave dhe për zhvillimin ekonomik. Pra përfitojnë edhe qytetarët edhe biznesi”, tha ai.“Elemente të tjera të rëndësishme që janë të parapara me këtë projekt për rikonstruktimin e rrugës janë edhe trotuaret në zonat e banuara dhe vendndalesat apo stacionet për autobusë. Sigurisht pas rikonstruktimit rruga do të plotësohet me sinjalizim edhe horizontal edhe vertikal sipas standardeve evropiane, nga vijat, tabelat, shenjat orientuese e deri tek elementet reflektuese dhe të tjera mbrojtëse me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion. Vlera e kontratës është afër 1.85 milionë euro. Ndërkaq afati për ndërtimin e rrugës është 150 ditë pune”, tha Kurti.
Ndërsa, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se ky projekt është investimi i dytë më i madhi rrugor në Malishevë brenda dy muajve, për të cilët tha se janë investuar nga Qeveria Kurti mbi 4.2 milionë euro.
Afati për realizimin e këtij projekti do të jetë 150 ditë pune. /A.Shala/