Kamberi: Vuçiq e çon Serbinë në diktaturë nëse e fiton betejën me qytetarët
Intervista
Lexohet për: 3 min.
Shaip Kamberi
2 javë më parë
Linku u kopjua

Në Serbi ka revoltë gjithëpopullore, thotë deputeti shqiptar në Beograd, Shaip Kamberi. Në rast se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e fiton betejën me qytetarët, thotë ai, do e çojë Serbinë në drejtim të diktaturës.

Rrugët e kryeqendrës së Serbisë janë mbushur me protestues kundër Vuçiqit dhe qeverisë atje.

Mbi 100 mijë njerëz dolën në rrugë në një organizim të studentëve dhe sindikatave të fermerëve.

Atje po përkohet përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacionit të trenit në Nov Sad, ku humbën jetën 15 njerëz.

Tash e disa javë, protestuesit kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e Beogradit.

Revolta gjithëpopullore e qytetarëve, sipas Kamberit, vjen nga mosgatishmëria e Vuçiqit për të biseduar me grupet e pakënaqura.

“Regjimi pret që festat e fundvitit të sjellin një ulje pak të protestave, sepse njerëzit janë duke u marrë me protesta por nga ana tjetër ata që janë në prapaskena të organizimit të protestave duhet ta dinë se nëse ndërpritet, i ndalet hovi, ato edhe do të pushojnë aty”, deklaron Kamberi për KosovaPress.

Në përpjekje për të penguar protestat, Qeveria e Serbisë ka zgjatur pushimet dimërore të shkollave duke i nisur ato gati një javë më herët.

Dhuna e herëpashershme ka përcjellur protestat, ndërkaq nga grupe pro-qeveritare ka pasur përpjekje për të penguar protestat.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë deklaron për KosovaPress se Vuçiq do të parandalojë çdo përpjekje për të mos e rrezikuar regjimin e tij.

“Ajo që është me rëndësi për vitin tjetër të shohim se cili do të jetë reagimi i Bashkimit Evropian ndaj protestave dhe ndaj regjimit të Vuçiqit në tërësi, çfarë qëndrimi do të mbajnë ata dhe çfarë qëndrimi do të mbajë administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me një shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, që merr financat nga BE por që mendjen e ka tek perandoritë e lindjes, qoftë te Rusia, qoftë te Kina”, përfundon ai.

Vuçiq, i cili akuzohet për sundim gjithnjë e më autokratik ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën./Sh.Pajaziti

Intervista e plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/proteste-masive-kunder-vuciq-dhe-qeverise-se-tij-ne-beograd

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025