Dhuna fizike, psikike, sharjet e kërcënimet, janë arsyeja e disa prindërve të nxënësve të klasës VI/3 në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë, që kanë detyruar fëmijët e tyre për ta bojkotuar procesin mësimorë që nga e premtja.
Tash e tri ditë, kjo klasë nuk po mban mësim, shkak që njëri nga nxënësit, po në atë klasë, po përdor dhunë fizike ndaj fëmijëve të tjerë, çoftë vajzë apo djalë, ndaj të cilit drejtoria e kësaj shkolle, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Qendra për Punë Sociale nuk kanë ndërmarrë ndonjë vendim ndaj tij ende.
Jo vetëm se fëmijët po frikësohen nga ai nxënës ‘problematik’, por edhe prindërit po heshtin shkaku i frikës së prindërve të tij. Edhe pse ato u prononcuan për media, të njëjtat dëshiruan të mbulojnë fytyrën, shkaku i frikës se mos do të hakmerret babai i tij.
Njëra nga nënat, djali i së cilës ishte rrahur tri herë brenda javës, tha se prindërit janë hasur me këtë problem që nga klasa e parë, por që tani kjo dhunë ka marrë qasje tjetër.Pas mos zgjidhjes së problemit, e njëjta ka vazhduar në DKA, por arsyetimi i tyre ishte se fëmija duhet të vijojë mësimin si të gjithë të tjerët.
“Ne kemi pasur probleme të vazhdueshme, prej klasës së parë por ka qenë më i menaxhueshëm si fëmijë, tash në klasën e gjashtë ka ndërruar qasjen, është më agresiv i dhunshëm iu shkakton dhunë fizike, psikike. Ne, si klasë në mbledhjen që kemi mbajtur me kujdestaren e klasës, kërkesë e jona ka qenë me gjet zgjidhje kësaj pune dhe i kemi lajmërua për bojkot nëse nuk hasim në mirëkuptimin e tyre. Nuk jemi marrë parasysh, as unë asnjë prind tjetër, kemi vazhduar edhe te drejtori i shkollës, të njëjtin arsyetim e kam marrë dhe unë dhe secili prind që nuk mundet me i dhënë zgjidhje kësaj pune, është ligji për gjithë përfshirje, që ia lënë fëmijës me ardhur në shkollë njëjtë...Dje kam vazhduar edhe në drejtorinë komunale të arsimit, të njëjtat arsyetime i kam marrë edhe prej tyre që ai, duhet me vijua njëjtë sikur të gjithë të tjerët, por që nuk i përcaktohet një asistencë është kërkesë e madhe”, tha ajo.
Ekipi i KosovaPress, ka qëndruar para objektit të shkollës, por nuk është lejuar të hyj brenda për të marrë pamje të klasës së thatë. Gjatë qëndrimit, ekipi hasi edhe në njërën nga arsimtaret që do duhej të mbante mësimin në klasën e 6-të, e cila në vend se të jepte orën e historisë, po qëndronte në një kafene afër shkollës. E njëjta nuk dëshironte të fliste se pse nuk po mbahet mësimi, duke thënë se “janë organet kompetentë që japin informatat, pse mos me iu pranua.”
Edhe kujdestarja e klasës, Mirvete Hajrizi, pasi që është telefonuar për disa herë, vijoi se nuk mund të jap sqarime.
Pas disa përpjekjesh për t’u takuar me drejtorin e shkollës, Besim Gashi, dërgoi një përgjigje me shkrim.
E drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Bajram Shala në një përgjigje me telefon theksoi se nuk është i informuar nëse është hapur një rast i tillë në QPS.
Ndërkaq, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, janë përgjigjur për KosovaPress se janë të njoftuar dhe komisioni po merret me rastin, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe QPS-në.
KosovaPress është interesuar të marrë edhe palën tjetër, porse për shkak të ndjeshmërisë së situatës, prindërit nuk kanë dashur të tregojnë se për kë bëbeht fjalë.