Nxënësit e Kosovës në garë kreative kundër duhanit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Nxënësit e Kosovës në garë kreative kundër duhanit
Me rastin e 31 Majit – Ditës Botërore Kundër Duhanit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit, ka nisur një aktivitet kreativ me nxënës nga e gjithë Kosova, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat e duhanpirjes.
Sipas organizatorëve, në garë do të marrin pjesë nxënësit e klasave 6–9, të cilët do të paraqesin mesazhe kundër duhanit përmes krijimeve artistike, video-animacioneve, vizatimeve dhe formave të tjera kreative. Aktiviteti zhvillohet nën moton “Të rinjtë për një Kosovë pa duhan”.
Punimet më të mira fillimisht do të përzgjidhen në nivel komunal, ndërsa më pas do të prezantohen në aktivitetin qendror të shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, që pritet të mbahet më 29 maj në Prishtinë, me pjesëmarrjen e ekspertëve të shëndetit publik dhe përfaqësuesve institucionalë.
Organizatorët theksojnë se pjesëmarrësit kanë pranuar rregulloren e garës, e cila përcakton procedurat, kriteret e vlerësimit dhe çmimet për fituesit.
Ky aktivitet synon të rrisë njohuritë e të rinjve për dëmet e nikotinës dhe produkteve të duhanit, me theks të veçantë te cigaret elektronike, duke i inkurajuar ata të bëhen promotorë të shëndetit publik dhe një jete pa duhan.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.