Një sulm me dronë ukrainas goditi të shtunën një terminal nafte në Shën Petersburg, që ishte njëri nga caqet më të largëta të atakuara nga Kievi zyrtar në Rusi, prej kur nisi lufta mes këtyre dy shteteve në shkurt 2022, raporton AP, transmeton KosovaPress.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, tha se objektivi u godit në distriktin Kirovsky, në brigjet e Detit Baltik.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e cilësoi sulmin si pjesë të strategjisë së Ukrainës për të goditur objektivat në thellësi të territorit rus, e sidomos ato energjetike.
Ai tha se forcat e shtetit të tij qëlluan edhe një cak ushtarak në ishullin Kronstadt, pranë bregdetit të Shën Petersburgut.Ndërkohë, në gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, një tjetër sulm ukrainas vrau një person dhe plagosi dy të tjerë, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar, sipas guvernatorit të këtij territori, të emëruar nga Moska, Sergei Aksyonov.
Ap shkruan se goditjet e Ukrainës ndaj rafinerive, terminaleve dhe objekteve të tjera energjetike ruse janë bërë pothuajse të përditshme, duke shkaktuar vështirësi në furnizimin me karburante dhe duke shtuar presionin mbi Kremlinin për ta ndalur luftën, e cila ka hyrë në vitin e pestë.