Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po pret certifikimin e rezultateve zgjedhore të 7 qershorit për të nisur zyrtarisht diskutimet për formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit, thotë kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.
Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Zulfaj deklaroi se certifikimi i rezultateve do të jetë pikënisja për llogaritjen e mandateve dhe shqyrtimin e skenarëve për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.
Sipas tij, në Lëvizjen Vetëvendosje tashmë ka diskutime për opsionet e mundshme, por mënyra se si do të materializohen ato do të varet edhe nga qasja që do të mbajnë subjektet e tjera politike ndaj krijimit të institucioneve të reja.
“Kryeministri, presidenti i LVV-së do të presë certifikimin e rezultateve së pari. Ajo pastaj është pikënisja që zyrtarisht sa mandate i ke fituar, në mënyrë që të flasësh pastaj mbi bazën. Dihet, por si kryeministër dhe president i subjektit më të madh duhet të presësh certifikimin e tyre që të flasësh sigurt se kush sa vende i ka për të bërë aritmetikat për konstituimin e institucioneve. Këta skenarë do t’i shqyrtojë mbi bazën e rezultatit, besoj, kryeministri bashkë me kryesinë e LVV-së… Sigurisht se ka diskutime (brenda LVV-së), por sesi do të materializohen këto diskutime. Në herën e kaluar kishim rezultatin dhe propozimin. Tash duhet të shohim edhe spektrin politik sesi e kanë qasjen karshi krijimit të institucioneve”, tha ai.Ai tha se përveç refuzimit të ofertës për koalicion qeverisës, opozita nuk pranoi as propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për një president konsensual, duke përmendur Feride Rushitin si emrin e propozuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.