Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka reaguar sot lidhur me shqetësimet dhe pretendimet e fundit në opinion publik për ndërrimin e njehsorëve të energjisë elektrike, duke theksuar se ky është një proces i zakonshëm dhe i planifikuar.
Sipas KEDS-it, ndërrimi i njehsorëve dhe aktivitetet tjera operative realizohen në vazhdimësi, përfshirë edhe ditët e shtuna, dhe nuk janë të lidhura vetëm me periudhën e fundit.
“KEDS garanton se ndërrimi i njehsorëve nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që po qarkullojnë në opinion. Ky është një proces i vazhdueshëm që realizohet sipas planifikimit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, kompania thekson se, sipas informacioneve të bëra publike edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila po kryen verifikimet përkatëse, njehsorët matin saktë konsumin e energjisë elektrike. Devijimet eventuale, sipas tyre, lidhen vetëm me datën dhe kohën e leximit.Në fund, kompania rithekson përkushtimin e saj ndaj transparencës, korrektësisë dhe informimit të drejtë për qytetarët.
Dje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS, është autorizuar Policia e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe zhvillimin e veprimeve hetimore.
Lidhur me këto pretendime, MINTI ka themeluar Komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë. Derisa sot bëri të ditur se, njehsorët që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.