Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë një takimi sot me Asamblenë e PS-së së Durrësit, theksoi rëndësinë e mbështetjes për një mandat më të fortë në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Fati i ka buzëqeshur shqiptarëve pasi për herë të parë ne gjendemi në një pozitë ku të mëdhenjt që na duhen i kemi të gjithë me vete dhe ndërkohë, kur ne duhet të materializojmë një ëndërr të vjetër, që ka qenë ëndrra e të gjithë brezave, për ta shkëputur Shqipërinë përfundimisht nga pika ku në vazhdimësi jemi gjendur në vështirësi të mëdha historike dhe për ta pozicionuar në anën e Europës edhe zyrtarisht jo vetëm gjeografikisht”, tha Rama.
“E përsërisja vazhdimisht, që na duhet një mandat më i fortë se ai që kishim për ta bërë realitet objektivin historik të Shqipërisë në BE. Sot Shqipëria duhet të vrapojë për të mos e lënë atë derë që na është hapur. Është hapur një derë që s’ka qenë kurrë hapur realisht. Duhet të bëjmë çdo gjë që të mos e lëmë derën të mbyllet pa hyrë brenda”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, kjo është detyra që ka sjellë “rrota” e historisë dhe PS duhet të bëjë vetëm atë që i kërkohet.
“Ta bëjmë këtë gjë realitet. Ne duhet të kapim trenin e historisë, patjetër”, deklaroi Rama.
“Tani unë besoj që duhet ta shohim këtë çështjen e anëtarësimit në Bashkimin Europian nga të dyja anët. Procesi i anëtarësimit ka një anë që lidhet me ne. Ka një anë që lidhet me ata. Dhe Bashkimi Europian është si kjo këtu me dy kate, me ndryshimin që ata në kat të dytë nuk janë në këmbë, janë ulur dhe në kat të parë është komisioni, është Brukseli, janë 35 mijë punonjës atje që merren me të gjitha aspektet e Bashkimit Europian. Që të gjitha! Me të gjitha shtetet, me politikën e përbashkët, për bujqësinë, për mjedisin edhe një pjesë e tyre, një seksion atje në kat të parë merret me vendet që duan të futen në Bashkimin Europian edhe i ndjek çdo ditë çfarë bëjmë, si e bëjmë. Edhe kjo është e lidhur me detyrat që ata na vënë dhe na ndjekin në proces. Dhe sipas atyre gjërave që bëjmë ne, ata çojnë letrën në kat të dytë edhe thonë “këta i mbaruan këto detyra që kishin për këtë fazë. Prandaj, ne ju propozojmë, ne ju rekomandojmë që t’ia hapim negociatat”. Ata në kat të dytë tani nuk shohin si ata të katit të parë. Ata të katit të parë shohin detyrat. Kati i parë është si shkollë, kati i dytë është si marrje në punë. Atje në kat të dytë janë 27 shtete që secili prej tyre duhet të thotë dakord ose jo. Një mjafton të thotë jo, nuk bëhet. Dhe jo vetëm për ne, por për gjithë vendimet që merr kati i dytë duhet 27 të jenë me një mendje”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se procesi është një ushtrim jashtëzakonisht i dobishëm, pasi Shqipëria bëhet si një vend i BE.
Tani a mund të ndodhi që në 2027-ën politika në Francë të ndryshojë për keq në raport me këtë? Po mund të ndodhë, shumë e mundur. A mund të ndodhi që në Gjermani të ndodhi e njëjta gjë? Po mund të ndodhi. Po ndërkohë kemi ne ndonjë rrugë tjetër përveçse ne të bëjmë detyrat tona dhe të përmirësohemi këtu? Se në fund të fundit përfituesit jemi ne këtu, kështu që ne duhet të jemi gati. Kjo është e rëndësishme. Dhe për këtë arsye kur filluam negociatat, ne i hapëm të gjithë kapitujt në 11 muaj. Nuk i ka hapur asnjeri në 11 muaj, por i hapëm se kishim përgatitur me vite përpara. Dhe ata thoshin pastaj “ua, çudi e madhe. Po Shqipëria sa mirë! Po, sa mirë, po na ka surprizuar Shqipëria. Kushedi çfarë prisnin! Kjo e nëntë shteteve pastaj është barsoletë komplet. Barsoletë që nëntë shtete kanë vënë veton. E para një herë veton e vë njëri, prandaj quhet veto. Tjetra pastaj është votë, s’është veto. Po qenë nëntë nuk është më veto, është votë.
Rama theksoi se Komisioni ka dorëzuar raportin për Shqipërinë dhe se deri në fund të prillit do të dalë rezultati.
Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës duke theksuar se çdo pretendim për veto apo probleme është thjesht spekulim politik, ndërsa në realitet procesi i integrimit dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë po ecin normalisht pa pengesa, transmeton ATSH.
.