Një vit më parë ndodhi shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, i cili nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia.
Ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë, e as nuk ka hetime të përfunduara, thonë ekspertë ligjorë për shpërthimin e mbrëmjes së 29 nëntorit të vitit të kaluar në kanalin e Varagës të Zubin Potokut.
Pas këtij incidenti, ishte bërë e ditur se për hetimin e këtij rasti janë përfshirë edhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
Për shpërthimin në Ibër-Lepenc janë arrestuar dhjetëra persona, e janë sekuestruar armë e eksplozivë.
KosovaPress ka pyetur Ndërmarrjen Publike “Ibër Lepenc” se a ka ndonjë raport përfundimtar për dëmin e shkaktuar nga ky sulm terrorist, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Disa ditë pas sulmit, gjatë vizitës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli në këtë ndërmarrje, kjo e fundit kishte thënë se dëmi i shkaktuar është rreth 400 mijë euro.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Pas sulmit terrorist, ndërmarrja publike Ibër-Lepenc, ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet.
Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë për sanimin e dëmeve në kanalin e Ibër-Lepencit. /Sh.Pajaziti