Një vit pas sulmit në Banjskë, reagime të ashpra ndaj agresionit serb dhe dështimit të drejtësisë
Lajme
Lexohet për: 5 min.
ZKP-ZKM-24-9-2023-16
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Një vit pas agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit, i organizuar nga grupe terroriste serbe nën udhëheqjen e Milan Radojiçiqit, reagimet për këtë akt terrorist vazhdojnë të jenë të ashpra.

Avokati serb, Cedomir Stojkoviq, dhe analistë të tjerë ndërkombëtarë theksojnë rolin destabilizues të këtij sulmi në veri të Kosovës, si një përpjekje të orkestruar nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Përkundër provave të qarta dhe kallëzimeve penale të bëra menjëherë pas ngjarjes, Stojkoviq ka thënë se, drejtësia në Serbi duket se ka dështuar të veprojë, duke lejuar autorët e këtij sulmi të mbeten të lirë dhe pa u ndëshkuar.

“Një vit më parë, BIA dhe Aleksandar Vuçiq organizuan një sulm ilegal paraushtarak/terrorist në Banjska si pjesë e një projekti për ndarjen e veriut të Kosovës në emër të Putinit në Donbass, i cili do të shkaktonte një konflikt më të gjerë ballkanik, si adhurues i këtij aksioni. Putin shpresonte. Dhjetë ditë më vonë bëra një kallëzim penal kundër organizatorëve të këtij sulmi. Deri më tani, askush nuk është arrestuar në Serbi, asnjë rast i vetëm penal nuk është zhvilluar dhe të gjithë fajtorët janë në liri - një demonstrim i vërtetë se si duket një "sundim i ligjit" në Serbi... Prokuroria në Serbi është nën kontrollin absolut të qeverisë, dhe qeveria dhe prokuroria së bashku parandalojnë zbatimin e ligjit kundër autorëve. Autorët morën imunitet de fakto vetëm sepse janë serbë dhe vetëm sepse vepruan ashtu siç i udhëzoi qeveria. Edhe në mesjetë drejtësia nuk funksiononte kështu”, ka shkruar ai në X.

https://kosovapress.com/kearns-radojiciq-te-perballet-me-drejtesine

I të njëjtit mendim është edhe Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, i cili ka theksuar se, përgjegjësi kryesor Milan Radojiçiq vazhdon të endet i lirë në Serbi ndonëse ka kaluar një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Sot shënohet një vit nga sulmi paraushtarak i Banjskës nga militantët nacionalistë serbë të Beogradit, Kjo përpjekje për të destabilizuar (dhe ndoshta aneksuar) veriun e Kosovës u orkestrua nga Milan Radoiciq, një aleat i Vuçiqit, ende i lirë në Serbi, pavarësisht një urdhër-arresti të Interpolit”, ka thënë ai.

E politologu boshnjak, Jasmin Mujanoviq ka kujtuar sesi sulmi terrorist i orkestruar nga Beogradi në Banjskë të Zvecanit, ishte më vdekjeprurësi që nga lufta.

“Një vit më parë Serbia nisi sulmin e saj më vdekjeprurës në Kosovë që nga viti 1999”, ka shkruar ai derisa ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për qasje të butë ndaj Serbisë.

“Franca i ka shitur avionë luftarakë Serbisë; një pakt energjie është arritur mes Amerikës dhe Serbisë; Gjermania i është lutur Serbisë për litium. Me miq si këta…”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se, institucionet e Kosovës kanë kërkuar disa herë nga aleatët ndërkombëtarë që t’i bëjë presion Serbisë për të dorëzuar kriminelët e Banjskës. Dy herë radhazi përmes Ministrisë së Drejtësisë, institucionet i janë drejtuar Serbisë me kërkesën për ofrim të provave. Serbia ka refuzuar, madje ka kërkuar që autoritetet vendore të dorëzojnë provat që ka Kosova për sulmin në Banjskë.

https://kosovapress.com/perballja-per-shtetesi-dhe-sulmi-terroriste-ne-banjske

Në fillim të këtij muaji, gati pas një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës së siguruar nga KosovaPress, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe financim të grupit, shpëlarje të parasë.

https://kosovapress.com/hovenier-autoret-e-krimit-ne-banjske-te-mbahen-plotesisht-pergjegjes

Në një-vjetorin e sulmit në Banjskë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë për tri ditë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024