Më 18 mars mbahet konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, shefi i diplomacisë polake, Radoslaw Sikorski konfirmoi se, më 18 mars Shqipëria do të ulet në konferencën e katërt ndërqeveritare në Bruksel.
Në këtë raund të ri bisedimesh do të hapet grup-kapitulli i tretë i negociatave për konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Sikorski përmendi avantazhet e politikës së zgjerimit të BE-së.
“Ne shpresojmë që të hapim një grup-kapitull të ri të negociatave me Shqipërinë në një konferencë ndërqeveritare që do të zhvillohet muajin e ardhshëm dhe po ashtu vijimin e negociatave edhe me Malin e Zi. Zgjerimi është një proces me përfitime të dyanshme, si për shtetet kandidate dhe për ato anëtare të BE-së. Po ju jap si shembull shifrat në rritje të tregtisë mes Gjermanisë dhe Polonisë që nga koha kur ne u bëmë shtet anëtar. Tregtia mes nesh u rrit me 8 herë”, tha Radoslaw Sikorski, raporton TV Klan.
Më 15 tetor, me Shqipërinë u hap grup-kapitulli për çështjet themelore që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Më 17 dhjetor janë hapur diskutimet për grup-kapitullin e gjashtë, atë për marrëdhëniet e jashtme, politikën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes.