Pak pas mesnatës së 24 shtatorit, Policia e Kosovës nisi forcën e parë të reagimit drejt urës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Kjo rezultoi me vrasje e plagosje të policëve.
Të armatosur deri në dhëmbë, kriminelë serbë kishin hyrë brenda territorit të Kosovës.
Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të kësaj ure.
Terroristë serbë me veshje ushtarake ishin vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij. Këtij grupi po i printe kryeterroristi Millan Radojiqiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje.
Konfrontimi me Policinë e Kosovës vijoi përgjatë gjithë ditës së 24 shtatorit, ku është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi. Ndërkohë që forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, por tek në orët e vona të së dielës u mor nën kontroll manastiri, derisa shumica dërrmuese e grupit terroristë u arratisën nëpër rrugët malore për në Republikën e Serbisë.
Nga shtëpia e heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Albin Kurti deklaroi se në betejën për rend dhe ligj, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.
Për këtë sulm reaguan edhe ndërkombëtarët, megjithatë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokal”.
Me ceremoni e nderime të larta shtetërore u varros Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, ku morën pjesë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj.
25 shtatori u shpall ditë zie për Kosovën.
Automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës, harta e artileri të rëndë, por edhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.
“Në objektet brenda dhe vetura janë gjetur harta dhe plane të cilat tregojnë për organizimin e gjatë të mirë menduar dhe bashkërenduar. Këto harta dhe dokumente janë dëshmi se këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe organizuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendor dhe të huaj se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka asgjë të bëjë me një organizim të shpejtë”, ka deklaruar Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.
“Personat të tjerë të dyshuar që në bazë të pamjeve të siguruara mund të ishin rreth tridhjetë persona kanë arritur të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës duke lënë prapa automjetet e tyre që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete dhe një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota. Në brendi të automjeteve gjendej një sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm, raketa hedhës si dhe dhjetëra uniforma, të cilat dyshohet që personat e armatosur i kishin zhveshur me qëllim që të infiltrohen më lehtë në mesin e civilëve”, deklaroi Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës.Në fillim të këtij muaji, gati pas një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Millan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës së siguruar nga KosovaPress, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe financim të grupit, shpëlarje të parasë.
Në një vjetorin e sulmit në Banjskë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë për tri ditë.