Një gjermano-polak pranoi se bënte thirrje për vrasje te ish kancelarëve Merkel dhe Scholz
Bota
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Një gjermano-polak pranoi se bënte thirrje për vrasje te ish kancelarëve Merkel dhe Scholz
german police
04/05/2026 - 19:46
Linku u kopjua

Një burrë që dyshohet se ka lidhje me të djathtën ekstreme në Gjermani, ka pranuar, të hënën, se ka bërë thirrje për sulme ndaj politikanëve të lartë të këtij vendi përfshirë ish-kancelarët Angela Merkel dhe Olaf Scholz, raporton dpa, përcjellë KosovaPress.

50-vjeçari me shtetësi gjermano-polake pranoi, në ditën e parë të gjykimit të tij në Dyseldorf, se kishte bërë thirrje anonime në të ashtuquajturin “dark web” për sulme ndaj personave të përmendur me emër, zyrtarëve dhe figurave publike në Gjermani.

Ai i tha gjykatës se platforma që kishte krijuar për këtë qëllim ishte menduar si “provokim i thjeshtë”.

I pyetur nga gjyqtari kryesues se kë kishte dashur të provokonte, ai u përgjigj: “Epo, juve.”

Përveç Merkelit dhe Scholzit, në shënjestër, sipas tij, ishin edhe figura të tjera të njohura, përfshirë Annalena Baerbock, e cila ka shërbyer si ministre e Jashtme në qeverinë e mëparshme.

I pandehuri, sipas prokurorisë, kishte interes të veçantë edhe për zyrtarët e lidhur me pandeminë e koronavirusit të vitit 2020 dhe 2021, përfshirë ish-ministrat e Shëndetësisë Jens Spahn dhe Karl Lauterbach, si dhe virologun e njohur Christian Drosten.

Në listë ishte edhe Jan Böhmermann, komedian i njohur dhe prezantues i një emisioni satirik politik.

Prokurorët e akuzojnë të dyshuarin se kishte bërë thirrje për donacione në kriptovaluta për të ofruar shpërblime si nxitje për të tjerët që të vrisnin personat në listën e tij.

Burri, i cili u arrestua në qytetin perëndimor Dortmund në nëntor, përballet me akuza për financim të terrorizmit, nxitje për kryerjen e sulmeve terroriste dhe vepra të tjera penale.

Ai besohet të jetë pjesë e skenës ekstremiste të ashtuquajtur “Reich Citizens” në Gjermani – një grup i shpërndarë njerëzish që nuk e njohin autoritetin e sistemit aktual shtetëror – dhe është i njohur për policinë për pjesëmarrjen në protesta të së djathtës ekstreme.

I njëjti besohet se mbështet mohimin e të drejtave themelore për hebrenjtë dhe migrantët, si dhe përjashtimin e tyre nga zgjedhjet.

Sipas aktakuzës, për të destabilizuar shtetin, ai kishte krijuar një platformë të quajtur “Assassination Politics” në “dark ëeb”, ku bënte thirrje për sulme ndaj gjyqtarëve, policëve dhe politikanëve të njohur.

Në listë përfshiheshin edhe prokurorë që kishin ndërmarrë veprime kundër një figure të ekstremit të djathtë dhe një anëtari të lartë të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Sipas përfaqësuesit të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, ai kishte publikuar edhe udhëzime për prodhimin e bombave me pleh kimik, detonatorëve dhe fitilave, si dhe për prodhimin e napalmit, si pjesë e fushatës së tij për të “nxitur vrasës politikë që të kryejnë sulme të pavarura vdekjeprurëse”.

Gjykimi ndaj këtij personi po zhvillohet në sektorin e sigurisë së lartë të Gjykatës së Lartë Rajonale në Dyseldorf.

I lindur në Poloni, ai kishte studiuar informatikë në Gjermani dhe kishte punuar si inxhinier softueri në një bankë gjatë pesë viteve të fundit.

Ai, siç raportohet, ka dënime të mëparshme për rezistencë ndaj zyrtarëve të rendit, fyerje, dëmtim prone dhe nxitje të urrejtjes.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026