Izraeli ka miratuar një ligj të ri që parasheh dënimin me vdekje dhe gjykime publike për personat e dyshuar për përfshirje në sulmet e 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi. Ligji u votua në Knesset me 93 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa u mbështet si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.
Ligji krijon një gjykatë speciale ushtarake për personat e akuzuar për përfshirje në sulmet e 7 tetorit në jug të Izraelit, ku u vranë mbi 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Të akuzuarit, përfshirë pjesëtarë të njësisë Nukhba të Hamasit, mund të përballen me dënim me vdekje për terrorizëm, vrasje, dhunë seksuale dhe gjenocid.
Sipas BBC, organizatat për të drejtat e njeriut e kundërshtuan ligjin, duke paralajmëruar për gjykime të padrejta dhe përdorim të dëshmive të marra nën torturë, akuza që Izraeli i mohon, transmeton KosovaPress.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, lufta e nisur pas sulmeve të 7 tetorit ka lënë të vrarë mbi 72.740 persona në Gaza, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.