Kanë nisur në Prishtinë xhirimet e filmit të ri artistik “Zbardhje”, me regji të Kaltrina Krasniqi, një nga emrat më të spikatur të kinemasë bashkëkohore kosovare.
Projekti prodhohet nga Vera Films dhe ribashkon bashkëpunëtorët kryesorë nga filmi i saj i parë me metrazh të gjatë, Vera Andrron Detin, i cili pati premierën në seksionin Orizzonti të edicionit të 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.
I vendosur në Prishtinën bashkëkohore, filmi sjell historinë e dy grave, jetët e të cilave kryqëzohen në ambientin e punës. Fatimja, që vjen nga periferia dhe punon si mirëmbajtëse, dhe Elvira, drejtuese e një kompanie marketingu në qendër të qytetit, përfaqësojnë dy realitete që afrohen, por edhe përplasen mes tyre. Përmes këtij raporti, filmi vëzhgon transformimet urbane dhe sociale të qytetit, ku proceset e rindërtimit shpesh shoqërohen me fshirje simbolike të kujtesës dhe identitetit.
“Zbardhje” përdor këtë koncept si një metaforë socio-kulturore dhe arkitektonike, duke trajtuar mënyrën se si hapësirat, trupat dhe historitë “pastrohen” apo fshihen në emër të aspiratave zhvillimore.“Zbardhje” është një bashkëprodhim ndërkombëtar mes kompanive Vera Films (Kosovë), Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).
Gjatë fazës së zhvillimit, projekti është përkrahur nga platforma prestigjioze si Gothenburg Film Festival, Thessaloniki Film Festival dhe Torino Film Lab, ndër të tjera.