Qumështorja “Vita” në Istog u mbyll, të enjten, pas vendimit të marrë nga vetë kompania.
Drejtori gjeneral i Qumështores, Artan Spahija, la të kuptohet se fajtor për këtë gjë është ministri i Bujqësisë, Armend Muja ndërsa shtoi se ai dhe tjerët që punojnë e mbajnë Vita-n nuk do të dorëzohen kurrë.
Ai u premtoi punëtorëve të “Vita”-s se kompania nuk do t’i lë pas dore, duke iu dhënë fjalën se paga e tyre do të dalë.
“Ne kemi prodhime tjera, ne kemi me vazhdu, nuk munden me na ndalë. Nuk ka mujt as Serbia me na ndal. Ju mos keni merak, rrogat ja’u qesim, dhe ne nuk dorëzohemi”, tha drejtori i qumështores “Vita”.Sipas Mujës, kontrollet që po zhvillon AUV-ja janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore.
“Në kuadër të këtyre aktiviteteve, gjatë ditës së sotme është realizuar kontroll zyrtar edhe në kompaninë “Vita”, njësoj si ndaj çdo operatori tjetër ekonomik që i nënshtrohet mbikëqyrjes institucionale. “Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë, për produktet për të cilat paguajnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, shkroi Muja, ndër tjera.