KQZ fillon vlerësimin e zarfeve me vota të diasporës e 9 komuna përfundojnë numërimin e votave të kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se në nëntë komuna është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike. Ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës jashtë Kosovës.
Elezi bëri të ditur se pas përfundimit të numërimit në 29 komuna, materialet zgjedhore do dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku do të nisë skanimi i listave të votuesve.
“Është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në 9 Qendra Komunale të Numërimit. Qendrat Komunale të Numërimit të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot dhe Novobërdë. Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 29 QKN-të tjera. Sipas të dhënave deri më tani (9 qershor 2026, ora 17:00) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 38 QKN-ve, është 902 nga 2,498 vendvotime apo mbi 36 përqind. Qendrat Komunale, të cilat kanë përmbyllur procesin e numërimit dhe verifikimit, do të dorëzojnë materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në QNR së shpejti do të fillojë skanimi i Listës së Votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon KQZ-së të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”, tha Elezi.KQZ ka filluar me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas Elezit, Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë në zgjedhjet e 7 qershorit ka dalë LVV me 42,95% ose 299,328 vota, PDK e dyta me 21,14% ose 147,292 vota, LDK e treta me 17,60% ose 122,659 vota dhe Aleanca e katërta me 7,16% ose 49,913 vota.