Pas zhvillimeve të fundit në skenën politike, teksa vendi po hyn në tri ditët e fundit për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare, një iniciativë qytetare, e mbështetur edhe nga diaspora, ka nisur një peticion përmes të cilit kërkohet që kandidatura e profesorit Murat Jashari të merret në konsideratë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri në Kosovë.
Deri më tani, 523 qytetarë kanë nënshkruar online një peticion publik përmes të cilit kërkohet që në procesin e zgjedhjes së Presidentit të merret seriozisht në konsideratë kandidatura e profesorit nga familja Jashari e Skenderajt, Murat Jashari.
“Ne, qytetarët nënshkrues, kërkojmë që në procesin e zgjedhjes së Presidentit të merret seriozisht në konsideratë kandidatura e Prof. Murat Jasharit”, thuhet në tekstin e peticionit.
Sipas nismëtarëve, peticioni synon të nxisë një proces që reflekton vlerat shtetformuese dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria e Kosovës, duke e parë Presidencën si simbol të unitetit dhe vazhdimësisë shtetërore.
Për të qenë i vlefshëm, organizatorët kanë bërë të ditur se çdo nënshkrim duhet të konfirmohet përmes një linku që u dërgohet qytetarëve në e-mail.
Megjithatë, PDK-ja tashmë e ka refuzuar këtë propozim.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri të vendit. Vjosa Osmani ka përfunduar mandatin pesë-vjeçar më 4 prill.