30 vjet nga ndarja nga jeta e Halil Alidemës, Kurti: Vepra e tij pikë e fortë referimi
5-Fifth
Lexohet për: 8 min.
Dëgjoje me zë...
30 vjet nga ndarja nga jeta e Halil Alidemës, Kurti: Vepra e tij pikë e fortë referimi
akademia1234
30/03/2026 - 20:06
Linku u kopjua

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt akademi Jubilare me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Halil Alidema. Aktiviteti u organizua për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e tij në përpjekjet për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se fakti që përkujtimi po mbahet në Institutin e Historisë “Ali Hadri” ka simbolikë të veçantë, duke rikujtuar lidhjen e drejtpërdrejtë të Alidemës me Universitetin e Prishtinës dhe ndikimin që historian si Ali Hadri kishin në formimin e tij.

“Duke ju drejtuar nga kjo foltore, më duket shumë domethënës fakti që Halil Alidema po kujtohet në ndërtesën e Institutit të Historisë "Ali Hadri", ku është e vendosur edhe një pjesë e administratës së Universitetit të Prishtinës. Kjo sepse vetë Halil Alidema ka qenë pjesë e administratës së Universitetit të Prishtinës si sekretar në Fakultetin Filozofik, dhe sepse historiani Ali Hadri ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e Halil Alidemës duke e inkurajuar atë që të studionte histori. Halil Alidema jo vetëm që studioi histori, por edhe bëri histori, meqë ai u angazhua politikisht pothuajse gjatë gjithë jetës së tij, duke qenë një nga intelektualët dhe politikanët më të rëndësishëm në një periudhë aq përcaktuese për historinë e Kosovës, siç ishte ajo e fund-shekullit XX (të njëzetë), kur i tërë kombi shqiptar po përpiqej ta çlironte Kosovën nga zgjedha serbe”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti shtoi se në historinë e betejave për çlirim dhe shtetndërtim, Alidema zë një vend të veçantë, duke kujtuar edhe sakrificën e tij pas demonstratave të vitit 1981 dhe dënimin me burg të gjatë. Kurti theksoi se për institucionet e Kosovës, vepra e tij mbetet një pikë e fortë referimi për idealet mbi të cilat është ndërtuar shteti.

“Në historinë e gjatë të betejave të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi, betejave të luftës për çlirim dhe shtetëndërtim, Halil Alidema rezulton të jetë një nga figurat e shquara dhe më të rëndësishme. Gatishmëria e tij për të marrë përgjegjësi politike për demonstratat e vitit 1981 e nxorrën Halil Alideman në krye të një grupi intelektualësh që u arrestuan dhe u gjykuan duke u dënuar me burg të gjatë deri 15 vjet. për mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe për institucionet e shtetit tonë të pavarur, vepra politike e Halil Alidemas do të mbetet një pikë e qartë dhe e fortë referimi për idealet dhe shembujt mbi të cilat është ndërtuar dhe zhvilluar vendi ynë”, deklaroi ai.

Në emër të familjes, vajza e tij Yllka Alidemaj e kujtoi Halil Alidemën si një udhërrëfyes të qëndresës dhe dashurisë për atdheun, duke theksuar se trashëgimia e tij i tejkalon kufijtë familjarë dhe i përket gjithë kombit shqiptar.

“Kjo trashëgimi nuk i përket vetëm familjes sonë, por gjithë popullit shqiptar. Sot, duke e kujtuar dhe nderuar ne e ripërtërijmë përgjegjësinë tonë për të ruajtur dhe për të çuar përpara idealin për të cilin ai bashkë me shumë të tjerë sakrifikuan gjithçka për lirinë, dinjitetin dhe shtetin tonë”, tha ajo.

Ndërsa, oficeri ushtarak nga Shqipëria, Vladimir Beha, përmes një rrëfimi të tij, e përshkroi Alidemën si një personalitet të vendosur dhe vizionar, i cili kërkonte organizimin e një kryengritjeje të armatosur për çlirimin e Kosovës dhe besonte fuqishëm në mbështetjen ndërkombëtare për këtë qëllim.

Ish-bashkëveprimtari Sherif Konjufca theksoi se vizioni i Alidemës ishte i qartë se pa organizim ushtarak dhe luftë, nuk mund të arrihej çlirimi i Kosovës.

Konjufca: Bisedat me Halil Alidemen, kërkesa për një plan ushtarak dhe mbështetja ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës

Video

“Bisedat me të ishin të gjata dhe këmbëngulja e tij për të treguar çështjen kombëtare, mënyra e prezantimit dhe kërkesat e tij. Halili kërkonte direkt prej nesh hartimin e një plani ushtarak për organizimin e kryengritjes së armatosur popullore për çlirimin e Kosovës nga Serbia, duke krijuar së pari shtabin operativ të UNIKOMB-it. Ai ishte i bindur dhe argumentonte se kjo kryengritje do të mbështetej jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga faktori mbarëkombëtar në emigracion, si dhe drejtpërdrejt nga SHBA”, tha ai.

Hysen Matoshi nga Instituti Albanoilogjik vlerësoi se veprimtaria e Alidemës karakterizohej nga guximi, vendosmëria dhe sakrifica e jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si një nga figurat që braktisi politikën pasive për t’iu përkushtuar organizimit të rezistencës së armatosur që çoi drejt lirisë.

Matoshi: Veprimtarinë e tij atdhetare e kanë karakterizuar bindshmëria, dashuria për kombin

Video:

“Veprimtarinë e tij atdhetare e kanë karakterizuar bindshmëria, dashuria për kombin, guximi dhe vendosmëria ndër vite, sakrifica që ka përshkallëzuar të gjithë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale dhe shpirtërore. Halili bën pjesë në atë vargun e vogël të atdhetarëve që kanë pasur vërejtje pas një çerek shekulli. Në kohën kur shumica e politikanëve shqiptarë ndiqnin në rrugën e kotësisë të politikës së pritjes, atyre institucioneve që vepronin në Kosovën e robëruar, Halili hoqi dorë nga hierarkia e të bërit politikë administrative dhe të rreshmit mendje të përgatitjes së kundërvënies formale ndaj pushtimit”, u shpreh Matoshi.

Ndërsa në një letër të lexuar gjatë akademisë, ish-i burgosuri politik Ekrem Kryeziu e cilësoi Alidemën si ndër themeluesit e parë të UÇK-së dhe një figurë që shndërroi shtëpinë e tij në vatër të rezistencës dhe shpresës për liri.

Kryeziu: Halil Alidema, shtyllë e lirisë dhe fortesë e rezistencës për Kosovën

Video: e lexon letren prezantuesja.

“ Ti ishe ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ndër ata burra që në kohën më të vështirë nuk u tërhoqën, por u vunë në shërbim të lirisë së atdheut. Me guximin, përkushtimin dhe vizionin tënd, u bëre shtyllë që ndez shpresën tonë. Shtëpia jote nuk ishte vetëm vatër familjare, por strehë e sigurt dhe ushqim për shumë luftëtarë të lirisë. Ajo u shndërrua në një fortesë të rezistencës, ku atdheu vendosej mbi çdo gjë. Njerëzit nuk vdesin kurrë, ata jetojnë në kujtesën historike të kombit dhe në zemrat tona”, tha ai.

Historiani Durim Abdullahu theksoi se trashëgimia e Alidemës vazhdon të jetojë në Universitetin e Prishtinës, si në dokumentet arkivore, duke përmendur edhe kontributin e tij në fushën e historiografisë

Abdullahu: Trashëgimia e tij ka mbetur e gjallë edhe sot, jo vetëm në dosjen e tij arkivore

Video:

“Trashëgimia e Halil Alidemas në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ka mbetur e gjallë edhe sot, jo vetëm në dosjen e tij arkivore, por edhe në kujtimet e kolegëve të stafit akademik dhe administrativ, si dhe të studentëve të asaj kohe. E përtej kësaj, Halil Alidema ka arritur të lë gjurmë edhe në Fakultetin Filozofik si historian, meqë aty ai mbrojti temën e magjistraturës "Paqja e Shën Stefanit dhe Ballkani" më 1 qershor 1978, kurse një vit më pas, më 9 maj 1979, aty iu aprovua tema e doktoratës të titulluar "Qëndrimi i Francës ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912",tha ai.

Halil Alidema ishte një intelektual shumë aktiv, i cili u bë i njohur veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, kur ai u burgos dhe u dënua për veprimtarinë e tij politike. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, Halil Alidema themeloi partinë politike UNIKOMB dhe u angazhua në organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026