Nis mbyllja e përkohshme e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes me Danimarkën.
Ky objekt do të shfrytëzohet për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës.
“Oda e Avokatëve të Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kosova dhe Danimarka në vitin 2022 nënshkruan marrëveshje 10-vjeçare për transferimin e të burgosurve nga shteti nordik. Marrëveshja parasheh që Danimarka të marrë me qira 300 qeli burgu në Gjilan, derisa Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.Plani ka hasur në kundërshtime në Danimarkë, madje për një kohë ishte i pezulluar për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave të njeriut.