Balada e Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe) “Erlkönig”, e shkruar në vitin 1782, ka frymëzuar skenaristë të shumtë të kinematografisë dhe teatrit botëror për të shfaqur para publikut një dimension njerëzor universal ankthin.
Në poemën e Gëtes, gjatë një nate me rrebesh, një kalorës me një fëmijë të sëmurë në krahë (babai me të birin) kalërojnë mes për mes një pylli kënetor. Në bazë të besëtytnive, në vendet kënetore shfaqen qenie misterioze qëllimkëqija që e shpijnë njeriun drejt vdekjes.Qenia misterioze është gjithnjë e më pranishme në vizionin e fëmijës, me zërin që e fton ta shoqërojë në pallatin e tij, ndërkaq babai përpiqet t’i jep shpjegime racionale për zërat që dëgjon fëmija, si rezultat i shushurimës së gjetheve...
Në një rrugëtim ku terri të pamundëson të shihet qartë, qeniet njerëzore kalërojnë me tërë paragjykimet e trashëguara për çdo gjë, madje edhe për qenie misterioze...
Ka interpretime të shumta të baladës së Gëtes. Mirëpo më duket interesant të nxjerr në pah një aspekt që lidhet me kontekstin ku vendoset ngjarja e rrëfyer (pyll moçalor) dhe ethet “malarike” që kaplojnë fëmijën. A thua kemi të bëjmë me ankthin që kaplon njeriun në momente kyçe të jetës së vet, ku gjatë rrugëtimit të vështirë për të arritur pjekurinë si qenie njerëzore, duhet, në mënyrë të pashmangshme, të luftojë me aspektet fëmijërore që ka brenda vetes, me tërë paragjykimet e trashëguara... Sidoqoftë fundi i baladës dihet.
***
U befasova me imagjinatën e jashtëzakonshme të këtij të riu, i cili ka përzgjedhur poemën e Gëtes për ta vënë në një kontekst tepër origjinal.
Në dallim nga personazhi i baladës që kalëron me fëmijën në krah drejt kasolles, nëpër shushurima gjethesh, personazhi i filmit “Ninullë”, një mjeshtër kukullash, (rol i luajtur për mrekulli nga Avni Dalipi), ndodhet në “kasolle”, me fëmijën e “sëmurë” (të luajtur shkëlqyeshëm nga Lis Kamberi), ku zhurmat që “ushqejnë frikën” u vijnë nga jashtë (përplasje dyersh)!
Nuk e di nëse është lufta e brendshme e njeriut drejt rrugëtimit për të arritur shkallën e pjekurisë, apo faktorë të tjerë të jashtëm që e rrethojnë me ankth personazhin e këtij filmi të metrazhit të shkurtë, por atë që mund të them si historiane e artit, ka të bëjë me një fakt të pamohueshëm: Adrian Asllani ka krijuar një interpretim artistik tepër origjinal të një balade që jeton në kulturën europiane qe dy shekuj e gjysmë! Ka arritur që në një film të metrazhit të shkurtër të shpalos vlera të përmasave universale! Meriton vetëm lëvdata!
Jelldëz Asani, Profesoreshë e Historisë së artit në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në Universitetin “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.